Kosova

10 vjetori i pavarësisë së Kosovës shënohet me prani të lartë të diplomatëve të huaj

Që para orës 12 të mesditës shumica e mysafirëve janë aty, ndërsa mikpritësit, të udhëhequr nga “zonja e shtëpisë”, ambasadorja e Kosovës Nazane Breca janë në ballë të detyrës, duke e bërë mikpritjen. Janë qindra mysafirë, nga të cilët një numër i konsiderueshëm ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në Bernë, të cilët kanë ardhur për t`i uruar ditëlindjen republikës së re, shkruan albinfo.ch.

Pasi që salla e madhe e hotelit luksoz në qendër të Bernës, “Bellevue Palace” është mbushur përplot, intonohet himni i Kosovës dhe ai i shtetit mikpritës, Zvicrës. Ambasadorja Breca u drejtohet të pranishmëve, duke veçuar me respekt përfaqësuesit e shtetit zviceran dhe ambasadorët e pranishëm, me stafin e tyre, nga shumë vende të botës. Ajo në fjalën e saj bëri një rikapitulim të ecjes së shtetit të Kosovës gjatë 10 viteve të pavarësisë.

Sipas ambasadores Breca, Kosova ka shënuar një numër arritjesh gjatë periudhës së shkurtë të ekzistimit si shtet. Në radhë të parë, theksoi ajo, “asnjëherë më parë, në kohët moderne Ballkani nuk ka qenë më paqësor se prej pavarësimit të Kosovës e këndej”. Një dëshmi kjo për drejtësinë e vendimit për të shpallur dhe pastaj për të njohur pavarësinë e vendit.

Ambasadorja ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për mbështetjen e dhënë për Kosovën në rrugën e saj të pavarësimit dhe afirmimit të kësaj pavarësie. Sigurisht, në këtë pikë nuk mund të mungonte shprehja e mirënjohjes për Zvicrën. Ajo jo vetëm që ka qenë ndër vendet e para që kanë njohur Kosovën por edhe e ka ndihmuar atë në të gjitha aspektet, që prej disa dekadash.

Në këtë kontekst znj. Breca ka përmendur me nderim të thellë meritën e madhe që ka ish kryediplomatja dhe ish presidentja e Zvicrës, Micheline Calny Rey për legjitimimin dhe pastaj njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka pasur rolin e pionieres në këtë drejtim, pasi që ka argumentuar disa vite para të tjerëve në skenën e politikës botërore për domosdonë e pavarësimit të Kosovës.

Sigurisht, ambasadorja Breca ka falënderuar mërgatën e Kosovës në Zvicër, për ndihmat e pakursyera që i ka dhënë për këto dhjetëra vite, duke mundësuar mbijetesën e Kosovës.

Në krye të përfaqësuesve të shtetit zviceran ishte Bruchez Brugger, shefe e sektorit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës. Ajo ka marrë po ashtu fjalën dhe ka përgëzuar kosovarët për përvjetorin jubilar të pavarësisë.

Brugger ka theksuar se në mes të Zvicrës dhe Kosovës tashmë ekzistojnë një numër i madh lidhjesh të pashkëputshme, në radhë të parë falë komunitetit të madh kosovar në Zvicër. Ajo, në fjalën e saj ka vënë theksin në projektet që Zvicra ka zhvilluar dhe po i zhvillon në Kosovë, në mbështetje të infrastrukturës por edhe të shtetit të së drejtës.

 

Po ashtu Bruches Brugger ka folur për marrëveshjet që dy shtetet kanë lidhur mes vete përgjatë këtyre dhjetë viteve, mbi të cilat po zhvillohen marrëdhëniet miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës.

Me një fjalë përshëndetjeje në emër të zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Kosovës dhe ministritt ë jashtëm, Bexhet Pacollit, është paraqitur edhe Erëza Rudi, asistente ekzekutive në Ministrinë e Punëve të jashtme. Ajo ka folur për të arriturat dhe objektivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, duke e vënë theksin në punën drejt sigurimit të njohjeve të reja të republikës dhe te anëtarësimi në organizatat e mëdha ndërkombëtare, me synimin final për aderim në OKB dhe në BE.

Siç e thotë ambasadorja Nazane Breca për albinfo.ch, në pritjen e organizuar sot ka pasur një numër të madh ambasadorësh po dhe një përfaqësim i gjerë nga departamente të shumta të institucioneve qëndrore zvicerane, gjë që, sipas saj, tregon për rëndësinë që i është dhënë shënimit të përvjetorit të dhjetë, jubilar të pavarësisë së Kosovës nga Berna zyrtare dhe nga përfaqësitë diplomatike të botës në Bernë.