Kultura

100 vjet Shqipëri në rrethin e miqve zviceranë

Ajo që i veçon organizimet e “Bashkimit” të Usterit është pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të qytetit nikoqir

Një vajzë me veshje kombëtare mban në duar shportën me bukë e kripë ndërsa moshatarët e saj, të ndarë në dy kolona, formojnë shtegun nëpër të cilin kalojnë, mysafirët për në sallën e madhe ku festohet 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Këta fëmijë dhe të rinj janë anëtarë të Shoqërisë Kulturore Artistike që funksionon në kuadrin e shoqatës “Bashkimi” të qytetit Uster. Ata, sot kanë një përjetim të veçantë dhe të papërsëritshëm. Jo të gjithë brezat kanë rastin të jenë pjesë e një 100 vjetori të tillë me rëndësi.

Rreth njëmijë veta kanë mbushur përplot një sallë të madhe të qytetit Uster të kantonit të Cyrihut, më 4 nëntor. Nuk ka vend për karrige për të gjithë ata që kanë ardhur. Jubileu i shtetit të pavarur shqiptar kishte sjellë këtu bashkatdhetarë nga regjioni e më gjerë.

© albinfo.ch

I ftuar në këtë solemnitet ishte edhe Jakup Krasniqi, kryetar i Parlamentit të Kosovës, i cili, për shkak të, si u tha, “agjendës së ngjeshur”, mungoi. Por, të pranishëm ishin mjaft mysafirë të lartë, duke filluar nga përfaqësuesi i Jasharajve, familjes, siç u quajt këtu, më emblematike shqiptare, Lulzim Adem Jashari, ministri i diasporës Ibrahim Makolli, ambasadori i Shqipërisë Mehmet Elezi dhe ai i Kosovës, Naim Malaj, konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa. Ndërsa ajo që e veçonte këtë takim dhe në përgjithësi i veçon organizimet e “Bashkimit”, ishte pjesëmarrja e kryetarit të Usterit Martin Bornhauser me bashkëpunëtorë, ish kryetarit Hans Thallman dhe ish anëtarit të qeverisë së qytetit, aktualisht udhëhëqës i organizatës Arbeiter Union, Laurenz Steinlin.

© albinfo.ch: LAurenz Steinlin

Në skenë, me fjalimet dhe fjalët e tyre përshëndetëse janë ngjitur me radhë: kryetari i shoqatës, Afrim Hasaj, kryetari i Komunës së Usterit, Martin Bornhauser, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi,Lulzim Adem Jashari, ministri i diasporës, Ibrahim Makolli, sekretari i shoqatës, Bejtullah Tahiri, udhëhëqësi i Arbeiter Union, Laurenz Steinlin, ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.

Ambasadori Elezi në fjalën e tij spontane ka folur për rëndësinë e funksionimit të Shqipërisë dhe Kosovës si një komb i bashkuar shpirtërisht mbi vlerat evropiane, perëndimore. Funksionimin e kombit ai e ka krahasuar me atë të zemrës. “Zemra funksionon vetëm nëse funksionojnë të dy barkushet e saj”, ka thënë veç tjerash duke u shprehur figurativisht ambasadori Mehmet Elezi.

Kryetari i qytetit mikpritës, i dëshmuar për miqësinë e tij me shqiptarët e këtushëm, Martin Bornhauser ka uruar shqiptarët për jubileun e madh që po e festojnë. Ai ka bërë një rikapitulim të historisë së rëndë dhe të bujshme të Shqipërisë. Në këtë vazhdë i pari i Usterit ka folur për 5 shekujt e robërisë otomane, pastaj për izolimin gjysmëshekullor gjatë kohës së komunizmit dhe së fundi për dy dekadat e përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Bornhauser ka përkujtuar se me gjithë arriturat, shqiptarët janë ende në fillim të rrugës së gjatë të zhvillimit të tyre.

© albinfo.ch: Lulzim Adem Jashari

Një fjalim e ka mbajtur edhe Lulzim Adem Jashari, pinjoll i familjes Jashari, simbol i sakricës dhe rezistencës shqiptare. Jashari ka evokuar 28 nëntorët historikë të shqiptarëve duke filluar nga ai i vitit 1443, i fillimit të luftërave të Skënderbeut, pastaj 28 nëntori i vitit 1912, ai i vitit 1997, i daljes në skenë të UÇK-së. Jashari ka thënë se shqiptarët sot, falë sakrificës së popullit, gjenden në një pozitë më të mirë se kanë qenë më parë. Por, “ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e synimit tonë përfundimtar, bashkimit kombëtar”, ka thënë Lulzim Jashari, i përcjellë nga duartrokitjet e publikut.

Ministri i diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli e ka quajtur vit të madh vitin 2012, kur po shënohet 100 vjetori i krijimit të shtetit shqiptar, ku pjesën e tyre e kanë edhe të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Shqiptarët, edhe ata jashtë kufijve, e kanë festuar 28 nëntorin edhe në kohët më të vështira të robërisë. Ndërsa sot, ky përvjetor i madh po kremtohet në kushte dukshëm më të mira për kombin shqiptar, ka theksuar Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.

Shteti shqiptar ka qenë gjithmonë vendi që ka mbajtur gjallë shpresën për çlirim të shqiptarëve jashtë kufijve, ka thënë në referatin e tij Bejtullah Tahiri, sekretar i shoqatës “Bashkimi”. Pavarësisht nga rrethanat, ai ka frymëzuar pjesën e robëruar të kombit për të qëndruar më fuqishëm kundër pushtuesit, ka thënë ai veç tjerash.

Zvicra dhe populli i Zvicrës ka dhënë shumë për shqiptarët, ka thënë konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa, duke falënderuar kryetarin e Usterit. “Ju dhe Zvicra keni qenë gjithmonë në mbështetje të shqiptarëve. Prandaj, ju faleminderit shumë për gjithë atë që keni bërë dhe po bëni për popullin tonë”, ka përfunduar Sefa.

© albinfo.ch

Ndërkohë, fjalimet ia kanë lënë radhën programit artistik. Shoqata “Bashkimi” me ansamblin e saj të ri të valleve kishte përgatitur një program të larmishëm me valle nga trojet shqiptare, ndërsa këngëtarët si Shpend Dervish Shaqa, Afrim Aliu dhe isuf Rashiti e përplotësuan këtë program me këngë kushtuar përvjetorit dhe dëshmorëve.

Poezi të ndryshme kushtuar 28 Nëntorit kanë recituar nxënëset Fatbardha Rama, Liridona Grajqevci dhe voegëlushja 5 vjeçe, Ulpiana Miftari.

Grupi Teatror “Aktrimi” nga Cyrihu, i udhëhequr nga Ramadan Morina, ka ngritur në skenë aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga 28 nëntori i vitit 1912 ndërsa aktorja e këtij grupi, Yllka Zuzaku ka kënduar himnin kombëtar.

Moderimin e mbrëmjes e kanë bërë Asibe Krasniqi dhe Ramadan Morina.

Foto galeri