Kultura

100-vjetori i pavarësisë në syrin e artistëve të rinj

Janë paraqitur punimet e piktorëve të rinj Arjan Rexhepi e Roland Masurica, të grafistit Jeton Rexhepi dhe të skenografes Hanife Kastrati

Më datën 22 nëntor, në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në mjediset e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë u çel ekspozita “100-vjetori i pavarësisë në krijimtarinë e talenteve të reja të arteve figurative”. Çelja e ekspozitës ishte fryt i bashkëpunimit të tri ambasadave: të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë.

Në ekspozitë janë paraqitur punimet e piktorëve të rinj Arjan Rexhepi e Roland Masurica, të grafistit Jeton Rexhepi dhe të skenografes Hanife Kastrati, që të katër të ardhur nga Kosova me punimet e tyre për këtë ekspozitë.

Punimet përfshijnë portrete dhe tabllo që kanë në qendër figura madhore të kombit që nga Skenderbeu, Ismail Qemali, Bajram Curri, Adem Jashari e të tjerë, me anë të të cilave përcillet kumti i përpjekjeve të parreshtura për Liri. Ekspozitën e plotësojnë tabllotë me ngjyra të gëzueshme, që duan t’u kujtojnë shikuesve se shqiptarët e fituan luftën, tashti po fitojnë edhe paqen.

Një vend të dukshëm zënë punimet e veshjeve kombëtare të artistes së re Hanife Kastrati. Bashkë me portretin e Nënës Terezë, me anën e tyre nënviziohet pasuria e vlerave tona kombëtare të ruajtura e të zhvilluara gjatë qindvjeçarëve: në plan njerëzor (të mishëruara në shkallën më të lartë te Nëna Terezë), artistik, kulturor etj.Në çelje të ekspozitës u organizua një ceremoni, ku morën pjesë mësues e prind të mësimit plotësues të shkollës shqipe “Naim Frashëri” (LAPSH), artistë, veprimtarë, miq.

Përshëndetën ambasadori i RK Naim Malaj, ambasadori i RSH Mehmet Elezi, këshilltari në ambasadën e Republikës së Maqedonisë Ekrem Hebibi. Në emër të artistëve të rinj të ardhur prej Kosove përshëndeti piktori Arjan Rexhepi.

Përveç vizitave individuale, ekspozita do të vizitohet në mënyrë të organizuar nga grupe me nxënës e mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Synohet që nëpërmjet veprave të artit, fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë edhe për historinë dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve.

Gjatë një kokteili të thjeshtë në mbyllje të veprimtarisë pjesëmarrësit shkëmbyen mendime për artin, historinë, çështjet e integrimit në shoqërinë zvicerane dhe të ruajtjes së gjuhës shqipe e të vlerave kombëtare.

Ekspozita do të qëndrojë hapur pasditeve deri me datën 28 Nëntor nga ora 14.00 deri në oren 19.00 (vetëm ditën e diel deri në orën 18.00).