Bota

108 të arrestuar për pedofili në një operacion ndërkombëtar

Të akuzuarit që ishin pjesë e një zinxhiri masiv të pedofilisë, u arrestuan në një ndër operacionet më të mëdha ndërkombëtare që përfshiu 26 shtete dhe kryeqytetin e Brazilit, Brasilia

Policia braziliane arrestoi më shumë se 108 persona në operacionin anti-pedofili në Amerikën Latine.

Të akuzuarit që ishin pjesë e një zinxhiri masiv të pedofilisë, u arrestuan në një ndër operacionet më të mëdha ndërkombëtare që përfshiu 26 shtete dhe kryeqytetin e Brazilit, Brasilia. Të arrestuarit, akuzohen për prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve pornografike të fëmijëve dhe adoleshentëve nëpërmjet internetit.

Më shumë se 1000 agjentë u përfshinë në operacion. Ministri i Drejtësisë së Brazilit, Torquato Jardim tha se fillimisht, operacioni shënjestroi të dyshuarit për shpërndarjen e materialeve të paligjshme të pedofilisë.

Por, pasi sekuestruan dhjetra kompjutera, aparate celularë, CD dhe disqe hetuesit zbuluan se grupi kriminal jo vetëm shpërndante, por edhe prodhonte materiale pornografike pedofilie. Sipas autoriteteve të policisë, më tepër se 150 mijë dosje të sekuestruara përmbanin imazhe shqetësuese të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël duke u abuzuar. Pedofilët përdorin teknika tepër të sofistikuara për t’iu shmangur hetimeve policore.

Ministri i Drejtësisë, Jardim tha se operacioni finalizues vjen në fund të një hetimi gjashtë mujor, ku u përfshinë zyrtarë amerikanë dhe evropianë të emigracionit. Zyrtari Brazilian nënvizoi gjithashtu se rol mjaft të rëndësishëm luajti dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Mes të arrestuarve janë policë në pension, nënpunës civilë dhe njerëzit përgjegjës për klubet rinore të futbollit. Ende nuk është e qartë nëse ky grup zinixhir i pedofilisë ka funksionuar në mënyrë të pavarur në Brazil, apo nëse është e lidhur me rrjete të tjera kriminale jashtë vendit.