Tematike

12 stadiume automobilizëm te aeroporti i Gjenevës

Për 700 mijë vizitorët e GIMS, industria e automobilizimit kishte përgatitur një dritare të të ardhmes: Veturat vetëdrejtuese dhe veturat elektrike, të cilat ngadalë por si duket sigurt, po bëhen pjesë e automobilizmit

 

Në një sipërfaqe prej 12 fushave të futbollit pra 106 mije metra katrorë “Geneva International Motor Show” (GIMS) është një ndër panairet më të mëdhenj të automobilizmit në botë. Rëndësia e tij rritet, pasi Zvicra sa i përket automobilizmit është terren neutral, nuk ka autoindustrinë e vet siç e kanë vendet tjera me një panair të madh të veturave si: Frankfurti, Parisi apo Tokyo.

Këtë vit GIMS ka mbledhur 180 kompani të ndryshme të cilët kanë paraqitur inovacionet e veta dhe fuqinë e vet në tregun e automobilizmit.

Edhe sipas publikimeve zyrtare edhe sipas përshtypjes së përgjithshme nga ky panair, theksi kryesor ka qenë në dy gjëra: Veturat inteligjente që shkojnë drejt vetëngasjes apo ngasjes pa shofer, dhe veturat hibride dhe elektrike që në mendje kanë ngrohjen globale dhe mbrojtjen e ambientit.

Teknologjia e veturave me sy të vet është e integruar në Subarun e ri XV, i cili ka zgjedhur që të bëjë premierën botërore në Gjenevë. Një bukurosh stabil tash vjen vetëm me motor me benzinë, dizeli është hequr, motor boxer të shtrirë dhe më poshtë në veturë duke dhënë edhe më shumë stabilitet, dhe me sytë e vet.

Vetura që ndalon vetë kur kalon këmbësori afër

Subaru i ri ka teknologjinë e cila shikon dhe e ngadalëson veturën kur ajo është shumë afër veturës tjetër apo e ndalon fare në rast se një këmbësor vjen para veturës dhe ngasësi nuk e sheh.

Këtë teknologji tashmë kanë filluar ta integrojnë të gjitha llojet e veturave, VolksWagen në panair vjen me një animacion ku shihet se si vetura komunikon me ngasësin, rrugën dhe ambientin duke evituar aksidentet. Profesori i Universitetit presitigjioz të Cyrihut ETH, Roland Sigward ka parashikuar se veturave autonome do t`u duhen edhe disa dekada.

Është e qartë se e ardhmja po zhvillohet në këtë drejtim, ka thënë ai për botimin zyrtar të panairit.

Kjo e ardhme do të realizohet në vitin 2025, sipas Markus Kramer një ekspert i komunikimit me industrinë e automobilave. Në një artikull në revistën zyrtare të GIMS, ai shkruan se si në vitin 2030 ai do të shikojë një episod të “Friends” në veturë gjatë kthimit të tij në shtëpi, ndërsa në vitin 2020 ai do të ngasë një Ferrari elektrik. Në panair nuk pati Ferrari elektrik, e as Lamburghini elektrik e madje as hibrid, mirëpo Q7 i ri i Audit e-tron kishte modelin e vet hibrid. Këtë version e kishte edhe Porche, në verzionin e vet te Cayene. Një hibrid që dukej si bishe nga jashtë ndërsa brenda mendonte për ngrohjen globale.

Të gjithë prodhuesit kanë edhe versionet elektrike të veturave të tyre

Gati se nuk kishte brend të automobilizmit serik që nuk kishte edhe versionet e veta elektrike.

BMW me hibridët e vet dhe veturën elektrike i jepte një dukje të re tërë konceptit të mbrojtjes së ambientit dhe veturave elektrike. i8 është një bishë e vërtetë nga jashtë, një hibrid që kur kalon në ecje elektrike nuk e ka më zërin që shumë dashamirë të automobilizmit janë mësuar ta dëgjojnë. Një zzzzz e heshtur në vend të një brum brum.

Volkswagen, kishte versionet e veta elektrike dhe hibride, madje edhe Golfi ishte bërë e-golf. Në këtë fushë gjithsesi se francezët janë ata që kanë bërë shumë Peugeot përveç veturave elektrike kishte ekspozuar edhe skuterin elektrik, biçikletën dhe trotinetin. Ndërsa Renault me modelin Zoe mburrej për 400 kilometra me një mbushje.

Tesla, nuk ishte ne GIMS, Tesla e Elton Musk kishte zënë një vend në hollin e Aeroportit 100 metra larg nga panairi, ku vend për reklamë kishin zënë edhe brende të tjera. Kompania e lodrave të fëmijëve Lego kishte ekspozuar Lamburghinin e punuar në madhësi të vërtetë.

Por në rrugë duket krejtësisht ndryshe…

Lëvizjet drejt veturave me energji elektrike janë të dukshme dhe prezente, mirëpo kjo mund të shihet në panair, ndërsa po te dalësh në rrugë, kjo punë ndryshon. Veturat hibride në Zvicër përbëjnë 4.7 për qind të tërë tregut, por që kanë pasur një rritje të vazhdueshme për 2.4 pikë të përqindjes apo 33.9 për qind nga sasia e vitit paraprak. Ndërsa veturat 100 për qind elektrike përbëjnë vetëm 1 për qind.

Gjithsesi se GIMS ka të bëjë edhe me veturat që janë ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe prodhohen në punëtori të vogla që ato të bëhen unike. AC Schnitzer, vendoste makinat e BMW-së në karoseri unike me pjesë nga karboni. Liberty Walk nga Japonia ka gjetur mënyrën se si të prodhojë karoseri më unike dhe më të mira se vet Ferrari, duke i kombinuar me pjesë të karbonit. Apo kompania zvicerane që prodhon motoçikletat elektrike të postës që ka dalë me modelin e veturës për dy persona Erad që kushton 14 mijë CHF dhe pret homologimin Evropian përderisa atë zviceran e ka përfunduar.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/12-stadiume-automobilizem-te-aeroporti-i-gjeneves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.