Sport

13 vjet ka gënjyer se është e palëvizshme

Sportistja "me këmbë të palëvizshme" ngrihet vetë në këmbë, shtyn anash karrocën e invalidëve dhe ngjitet në veturë pa ndihmën e askujt

Atletja holandeze Monique van der Vorst ka lënë gojëhapur jo vetëm dashamirët e atletikës por edhe ekspertët. Për plot 13 vite ajo ka marrë pjesë në garat ndërkombëtare të paraolimpikëve (sportistët me hendikep) dhe përnjëherë braktis karrocën për të vazhduar si sportiste me fizik normal. Në vitin 1998 van der Vorst ka pasur një operacion me ç`rast këmba e saj e majtë qe paralizuar ndërsa gjuri i djathtë qe bërë plotësisht i palëvizshëm. Kështu së paku besohej se kishte ndodhur!

Në këtë gjendje ajo fillon të ushtrojë me handybike (biçikletën me duar) dhe pas titullit të kampiones evropiane të fituar në vitin 2001 radhiten titujt tjerë. Në vitin 2008 në një aksident automobilistik ajo pëson tronditje truri por vazhdon të triumfojë në garat me handybike. Van den Vorst bëhet superyll në Holandë ku dhe shpallet sportiste e vitit në mesin e të hendikepuarve. 

Por pastaj ndodhë mrekullia: pas marrjes së çmimit në garën e fundit, Monique ngrihet vetë në këmbë, shtyn anash karrocën e invalidëve dhe ngjitet në veturë pa ndihmën e askujt. E përballur me dyshimet e njerëzve ajo deklaron në nëntor 2010 se ka pasur një “shërim çudibërës”. Sipas saj, gjatë ushtrimeve në Mallorca ajo ka bërë ndeshje me një çiklist dhe për mrekulli nga ai moment ka mundur t`i lëvizë këmbët. Por mjekët nuk kanë koment për “shërimin” e mrekullueshëm të atletes.

Ndërkohë Van den Vorst fillon të garojë si sportiste normale, por shumë shpejt duhet të dorëzohet.

Nën presionin e shumë dëshmitarëve ajo detyrohet të pranojë se asnjëherë nuk ka qenë e hendikepuar. Por, ajo megjithatë nuk pranon se ka gënjyer. Problemet e saj nuk kanë pasur të bëjnë me boshtin kurrizor por me kokën. “Unë nuk isha e vetëdijshme se edhe para shërimit kam mundur shpesh të qëndroj në këmbë”, ka thënë ajo.