Sport

14 shqiptarë luajtën në ndeshjet e superligës zvicerane

Vetëm një futbollist shqiptar arriti të shënojë, Milaim Rama i FC Thun në ndeshjen kundër Servette nga Gjeneva

Në 5 ndeshjet e super ligës së Zvicrës në futboll, në xhiron e 16-të u shënuan 14 gola. Nga këto, vetëm një futbollist shqiptar arriti të shënojë, Milaim Rama i FC Thun në ndeshjen kundër Servette nga Gjeneva. Po ashtu edhe dy futbollistë shqiptarë gjatë kësaj xhiroje ishin asistues. Xherdan Shaqiri i FC Bazelit dhe Admir Mehmedi në FC Zurich.

 FC Thun–FC Servette  3 : 0

 Milaim Rama u aktivizua në minutën e 65 dhe pas 4 minuta lojë (69) shënoi gol për rezultatin përfundimtar 3 : 0. Për vendësit tërë ndeshjet luajti edhe Muhamed Demiri i cili njëherësh u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 16.

 FC Basel–FC Young Boys  1 : 0

 Kampioni në fuqi dhe lideri i super ligës. FC Basel në derbin e javës, të zhvilluar në praninë e mbi 32000 shikuesve, mposhti mysafirët nga kryeqyteti me rezultat minimal, 1 me 0. Pas asistimit të Xherdan Shaqirit golin e shënoi Marco Sreller në minutën e 27. Shaqiri luajti nga fillimi deri në minutën shtesë, 91 kur u zëvendësua. Për Baselin luajti nga fillimi deri në minutën 69 edhe Granit Xhaka.

 FC Zurich–FC Lausanne Sport   4 : 1

 Admir Mehmedi asistoi në minutën e 10 për rezultatin 1 me 0. Mehmedi luajti tërë ndeshjen. Kurse për shkak të lëndimit nuk u aktivizua fare për vendësit Adrian Nikçi.

 FC Luzern–FC Grasshopper  2 : 1

 Në këtë ndeshje u aktivizuan 6 futbollistë shqiptarë, 3 nga secili ekip. Për vendësit, Burim Kukeli luajti tërë ndeshjen, kurse Jahmir Hyka dhe Hekuran Kryeziu u aktivizuan nga minuta 46, përkatësishtë81. Në anën tjetër për mysafirët Orhan Mustafi luajti nga fillimi e deri në minutën e 88. Endogan Adili dhe Mërgim Brahimi u aktivizuan nga minutat e 69 dhe 90.

 FC Sion –FC Neuchatel Xamax  2 : 0

 Në derbin për pjesën frankofone FC Sion shënoi fitore ndaj Xamaxit. Për vendësit, Florim Berisha ishte në bankinë por nuk u aktivizua fare. Në anën tjetër për mysafirët Vullnet Basha luajti tërë ndeshjen duke u ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 85.