Lajme

14 vatra të reja zjarri në Shqipëri, në disa fshatra rrezikohen banorët

Emergjencat civile raportuan për 14 vatra të reja zjarri gjatë 24 orëve të fundit ku theksohet se situata më e vështirë është në Qarkun e Shkodrës dhe në atë të Vlorës

Autoritetet shqiptare duken se kanë humbur luftën me zjarret që kanë përfshirë këtë vend. Emergjencat civile raportuan për 14 vatra të reja zjarri gjatë 24 orëve të fundit ku theksohet se situata më e vështirë është në Qarkun e Shkodrës dhe në atë të Vlorës. Ndërsa rreth 600 hektarë janë djegur në 6 bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës, ku zona më e prekur ka qenë Bashkia Dropull ka njoftuar kreu i Gjirokastrës, Flamur Bime.

Ai gjatë një takimi të Shtabit të Emergjencave tha se këtë vit situata e zjarreve në Qarkun e Gjirokastrës ka qenë më shqetësuese dhe rreziku mbetet i lartë dhe për periudhën në vijim. Në raportin e fundit thuhet se në fshatin Vig të komunës së Vau Dejës zjarri ka djegur një shtëpi e cila ndodhej pranë vatrës së zjarrit dhe një sipërfaqe relativisht të madhe në pyll me shkurre dhe pisha.

Po ashtu në fshatin Janicat dhe Cerkovicë zjarret kanë marrë përmasa duke rrezikuar seriozisht shtëpit e këtyre dy fshatrave.