Shqipëria

16 raste me fruth konfirmohen vetëm në Tiranë

“Vatra e infekimit ka qenë Urgjenca e Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza”, ku një fëmijë ka infektuar fillimisht të vëllain dhe më pas të vegjël të tjerë”

Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë ka konfirmuar se 16 fëmijë janë të prekur nga sëmundja infektive e fruthit, të cilët po mbahen të izoluar në një pavijon të veçantë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Vatra e infekimit ka qenë Urgjenca e Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza”, ku një fëmijë ka infektuar fillimisht të vëllain dhe më pas të vegjël të tjerë”, ka njoftuar  Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino. Ajo ka shtuar se të gjitha rastet janë të fëmijëve të pavaksinuar. Vetëm në Tiranë janë 1200 fëmijë të cilët nuk e kanë kryer vaksinën e moshës 1-vjeçare, e cila refuzohet nga prindërit si shkaktare e autizmit.

“I bëjmë apel popullatës që për çdo fëmijë i cili nuk është vaksinuar të vaksinohet. Gjithashtu i bëjmë apel edhe personelit shëndetësor që të mos shtyjë vaksinimet sepse do të mbajë përgjegjësi sipas ligjit të sëmundjeve infektive”, ka thënë Bino.