Bota

164 të vdekur në Indi, 200 mijë të zhvendosur

Ka arritur në 164 numri i të vdekurve si pasojë e vërshime në shtetin indian të Keralës, ndërkohë që është raportuar për më shumë se 200 mijë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kryeministri indian Narendra Modi do të vizitojë shtetin jug-perëndimor më vonë gjatë ditës, ndërsa ka urdhëruar ushtrinë që të përshpejtoj ndihmën për përpjekjet e shpëtimit, në kuadër të së cilave tashmë janë angazhuar dhjetëra helikopterë dhe qindra anije, shkruan RTV21, përcjell Albinfo.ch.

Pamjet e publikuara kanë treguar njerëz sipër çative të shtëpive të tyre pothuajse të përmbytura të tëra.

Helikopterët u kanë hedhur ushqim dhe ujë në shporta metalike si dhe kanë arritur ti shpëtojnë shumë prej tyre.

Aeroporti në qytetin kryesor komercial të Koqit është vërshuar, duke pezulluar kështu operacionet e tij deri më 26 gusht.

Edhe trafiku rrugor dhe ai hekurudhor në shumë zona janë prekur nga vërshimet.

Vërshimet në shtetin që konsiderohet si një destinacion mjaft i frekuentuar turistik si nga vendorët ashtu edhe nga të huajt, kanë filluar nëntë ditë më parë.

Shërbimi kombëtar i motit në Indi ka paralajmëruar për më shumë shi dhe rritje të nivelit të ujërave edhe për ditët në vazhdim.