Integrimi

17 Shkurti do t’i bashkojë shoqëritë kulturore artistike në Zvicër

Që të jenë më të përgatitur në një manifestim të përbashkët dhe më mirë të organizuar në festën e pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, Qendra Kulturore në Cyrih kishte mbledhur bashkë në një takim shoqëritë kulturore artistike në Zvicër

Prej 15 përfaqësuesve të mbledhur të shoqërive kulturore artistike, shumica prej tyre kultivojnë folklorin shqiptar në diasporë.

Një bashkim të këtyre shoqatave apo krijimin e një unioni të shoqatave e kishte kërkuar Ministria e Diasporës.

Këtë kërkesë e ka përcjellë në Cyrih Kushtrim Ahmeti, këshilltar i lartë i ministrit të Diasporës, Valon Murati, duke u zotuar se ministria të cilën e përfaqëson ai do të bëjë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e kërkesave të shoqërive kulturore në diasporë.

„Për të pasur një bashkëpunim më të mirë me ju, ne si ministri e shohim të arsyeshme që ju të krijoni një union të shoqatave apo si do që ta quani ju”, tha Kushtrim Sheremeti.

Gjithashtu ai njoftoi se ministri i ri i Diasporës, Valon Murati, është duke punuar për ta mbështetur mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë dhe për këtë ka thënë ta kenë përkrahjen edhe të Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

“Prioritet i ministrit është që të investojë dhe të mbështesë mësimin në shkollat shqipe në diasporë. Gjithashtu e kemi bërë një marrëveshje me

Ministrin e Kulturës së Kosovës, por që do ta bëjmë edhe me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë që në të ardhmen të organizohet ditët e kulturës shqiptare. Ky organizim do të bëhet në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi e SHBA. Nuk përjashtohet mundësia që të mbahet edhe në qendër të Cyrihut dhe shqiptarët të kenë ditët e tyre kulturore”, tha ndër të tjera Sheremeti.

Pavarësisht kësaj dhe premtimeve që do të bëhet mirë, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, Shukrije Ramadani, ka njoftuar shoqatat për buxhetin që kanë në dispozicion për organizimin e manifestimit të sivjetmë të 17 Shkurtit në Zvicër.

“Ne i kemi vetëm 3000 euro për financimin e manifestimit të pavarësisë së Kosovës dhe me këtë shumë ne duhet të mbulojmë të gjitha shpenzimet për organizim”, tha Ramadani.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se këtë herë shoqatat duhet të jenë më të shkurtra në programin e tyre, për dallim nga herët e tjera, përndryshe duhet në ndahen në grupe.

“Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje që ose këto shoqata të ndahen në pesë, në grupe dhe për festa të ndryshme të paraqiten gjithmonë grupe të ndryshme, ose duhet të shkurtojmë minutazhin e paraqitjes së shoqatave në manifestim. Në të kaluarën kemi pasur dëshirë që të prezantohen të gjitha shoqatat me nga dhjetë minuta, por e kemi parë që programi ka qenë i stërzgjatur”, tha Ramadani.

Secila shoqatë kishte idetë e veta, por ata ishin të vendosur që të paraqiten të gjitha me një program të përbashkët dhe që secila mundësisht të ketë program apo valle që të dallojë nga të tjerat.

Në këtë takim u zgjedh edhe Këshilli organizues për manifestimin e 17 Shkurtit, ku do të ketë për obligim organizimin e përgjithshëm teknik dhe përzgjedhjes së programit.

Në mesin e përfaqësuesve të shoqatave ishte edhe Vesel Krasniqi si përfaqësues i shoqatës “Bashkimi”, por për dallim nga të tjerët, ai ishte më kritik.

Madje, sipas tij, Kosova është duke e përjetuar një periudhë shumë të dhimbshme që nga paslufta dhe se këtë herë nuk duhet të ketë manifestime, por protesta.

“Duke e parë gjendjen në të cilën ndodhet Kosova në mesin e protestave dhe ikjen masive të qytetarëve të saj, e që është jashtëzakonisht një shqetësim për secilin, unë mendoj që nuk na ka hije neve që të organizojmë sivjet manifestime për festën e pavarësisë”, tha Krasniqi.

Pas shumë diskutimeve dhe ideve të paraqitura që sivjet të ketë një program më të mirë, më në fund u vendos që manifestimi të mbahet më 22 shkurt në Bülach, në një sallë, e cila ka një kapacitet më të madh të ulëseve, por problemi i vetëm ishte çmimi i lartë i sallës.

Ndryshe, në këtë takim në mesin e shoqatave dhe ansambleve të pranishëm ishin: “Vatra“, „Shota“ „Dardania“, “Bashkimi”, “Trojet”, shoqata të artistëve, shoqata “Plisat”, grupi “Rinia”, “Drita”, grupi teatral “Aktrimi”, etj.