Shkurt.ch

18 cigare në ditë i tymos duhanxhiu mesatar i Zvicrës

Në këtë konstatim kanë arritur hulumtuesit nga Universiteti i Neuchatelit, në një studim të ri të tyre

Duhanxhinjtë e rregullt në Zvicër konsumojnë dukshëm më shumë duhan se që ishte menduar deri tash. Në këtë konstatim kanë arritur hulumtuesit nga Universiteti i Neuchatelit, në një studim të ri të tyre. Sipas këtij studimi, ata tymosin pothuaj një paqetë cigaresh në ditë, gjegjësisht 18 cigare në ditë. Nga ana tjetër, Zyra Federale e Shëndetësisë (BAG) konsideronte se mesatarja ishte gjysmë paqete, shkruan srf.ch.

Një zyrtar nga BAG, këtë dallim rezultatesh e arsyeton me metodat që kanë përdorur dy subjektet në fjalë për të arritur te e vërteta. Kështu, studimi i ri bazohet në shifrat e cigareve të shitura ndërsa BAG në sondazhet e bëra me duhanxhinjtë, transmeton albinfo.ch. Dhe, të anketuarit shpesh kanë prirjen ta ulin numrin e deklaruar të cigareve që tymosin. Pastaj ka edhe të tjerë që thonë se nuk janë duhanxhinj por të cilët herë pas here ose edhe rregullisht, “e ndezin”.

Ndryshe, tymosja e duhanit, pas një periudhe që shkonte drejt uljes po tregon një trend stabilizimi. Nga viti 2011 ajo nuk ka lëvizur, përcjell albinfo.ch. Përgjegjësit për preventivë thonë se vetëm ngritja e çmimit të prodhimeve të duhanit mund ta ndryshojë këtë trend.