Shkurt.ch

Kapet sasi rekorde e kokainës, 191 kg., kushton 70 milionë

Policia e kantonit Basellandschaft ka sekuestruar sasinë më të madhe të drogës së tipit kokainë që është kapur ndonjëherë në Zvicër. Ajo, në një depo të migrosit në Birsfelden ka gjetur 191 kilogramë kokainë, e cila në treg do të kushtonte 70 milionë franga.

Sasia më e madhe e kokainës e kapur para këtij rasti në Zvicër ka qenë 124 kilogramë, në Cyrih, në vitin 1997.

Droga ishte e paketuar brenda një dërgese të kafes në kontainerin e ardhur nga limani Santos i Brazilit, në limanin e lumit Rajna në Birsfelden, përmes Belgjikës, shkruan tageswoche, transmeton albinfo.ch.

Një punëtor i deposë i kishte zbuluar çantat e fshehura të drogës dhe kishte informuar përgjegjësit. Policia dyshon se kjo drogë nuk ka qenë e destinuar për tregun e Zvicrës por aty është vendosur përkohësisht, me mendimin për ta transportuar me tutje.

Prokuroria ka iniciuar një procedurë kundër personit të panjohur.