Kosova

VV: Rritja e pagave nuk mund të bëhet pa vendim të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave, duke thënë se ai nuk mund të zbatohet pa pasur një vendim të Kuvendit të Kosovës

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje njoftuan se kanë nisur të hartojnë kallëzimin penal për kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votim, përfshirë edhe gjyqtarët e Kushtetueses, të cilët rriten edhe pagat e tyre.

Deputetja Albulena Haxhiu, në një konferencë për media foli për shkeljet kushtetuese që ka bërë vetë trupi i Kushtetueses kur e ka nxjerrë vendimin se ngritja e pagave nuk e cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në vend që Gjykata Kushtetuese të ndalonte abuzimin me paranë publike, gjyqtarët si Arta Rama – Hajrizi, Ivan Cukalovic, Allta Suroy, Snezhana Botusharova, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi, përmes këtij vendimi mundësuan ngritjen e pagave edhe për vete.

Aktgjykimi i Gjykatës se rritja e pagave nga Qeveria për vetë Qeverinë dhe stafet e tyre është brenda normës kushtetuese, tregon më shumë për karakterin në të cilin është zhytur trupi i gjyqtarëve se sa për vetë vendimin’’, tha deputetja Haxhiu.

Ndërkaq, Avni Zogiani krahasoi pagat e kryeministrave të vendeve të rajonit karshi pagës mesatare të këtyre vendeve përkatëse që tregon se Qeveria e Kosovës, përkundër që ka varfëri e pabarazi të madhe sociale, i ka pagat më të larta në rajon.