Kosova

Ndërmarrjen Publike Banesore përplas VV-n me PSD-n

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate po vazhdojnë konfliktet mes tyre.

Po vazhdojnë përplasjet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate për Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë.

Sipas anëtarit të PSD-së, Dren Kukaj, njëherësh aksionar në NPB, ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha, i është ndaluar hyrja në ndërmarrje, mëngjesin e së hënës.

“Sot, ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha, i është ndaluar hyrja në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ngjau për shkak se aktivistë të punësuar të VV-së në këtë ndërmarrje ishin organizuar t’ia garantojnë qëndrimin e jashtëligjshëm Nexhat Kryeziut. Çuditërisht, atyre në ndihmë u erdhi edhe Policia e Kosovës”, ka shkruar ai.

Por, Kukajt i është përgjigjur aksionari tjetër në këtë ndërmarrje – asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.

Ai ka akuzuar Kukajn për falsifikim dokumentesh dhe tentim të “okupimit” të NPB-së me sigurim privat rreth orës 5 të mëngjesit.

Sipas Azemit, Shpend Ahmeti po dëshiron që miqtë e tij ta kenë nën kontroll ndërmarrjen, për ta vënë atë në shërbim të interesave të tyre, e jo qytetarëve.