Shkurt.ch

25 për qind të zviceranëve janë duhanxhinj

Organizatat shëndetësore, numrin mbimesatar të konsumuesve të duhanit në Zvicër e shpjegojnë me favoret që gëzon industria e duhanit në këtë vend

Shtatë milionë njerëz në botë brenda vitit vdesin nga pasojat e konsumimit të duhanit. Kjo bën që duhani të jetë shkaktari më i madh, i evitueshëm, i vdekjes në botë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë WHO me fushatat dhe aksionet e ndryshme të saj për parandalim të konsumit të duhanit ka mbuluar tashmë më shumë se gjysmën e njerëzve në botë, shkruan srf.ch. Një raport i ri i kësaj organizate flet për rënie të numrit të duhanpirësve.

Megjithatë, sipas WHO-së, në botë tymosin duhan 20 për qind të personave të rritur. Ndërsa në Zvicër kjo përqindje është më e lartë, gjegjësisht 25 nga 100 zviceranët e moshës madhore janë duhanxhinj.

Organizatat shëndetësore, numrin mbimesatar të konsumuesve të duhanit në Zvicër e shpjegojnë me favoret që gëzon industria e duhanit në këtë vend, transmeton albinfo.ch. Taksat e duhanit në Zvicër janë më të ulëta se në vendet tjera perëndimore, pastaj industrisë së duhanit këtu i lejohet reklama, promovimi dhe sponsorimi, thonë ekspertët e çështjes.

Koncernet e mëdha të duhanit prodhojnë në Zvicër mbi 40 miliardë cigare në vit. Kjo është në përputhje me simpatinë që gëzon duhani edhe në mesin e ligjvënësve zviceranë.

Parlamenti ka hedhur poshtë në fillim të vitit si ndalimin e reklamave për duhan ashtu dhe kërkesën e Këshillit Federal për kompetenca shtesë për ngritjen e taksës së duhanit.