Shkurt.ch

250 mijë familje zvicerane punësojnë pastruese ose kujdestare në të zezë

Studimi thotë se janë në mes 200 mijë dhe 250 mijë familje zvicerane që punësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmëse për punët shtëpiake ose kujdestare fëmijësh

Si pasojë e punës në të zezë të pastrueseve ose kujdestareve të fëmijëve, fondi i pensioneve AHV dëmtohet për rreth 320 milionë franga në vit. Këtë shifër e ka konstatuar studimi i realizuar nga firma quitt.ch. Sipas studimit, shumica e atyre që punësojnë persona të kësaj kategorie në mënyrë ilegale, e bëjnë këtë pasi që duan t`i ikin ngarkesës burokratike dhe kohore që nënkupton punësimi sipas rregullave, shkruan blick.ch.

Por, puna në të zezë në amvisni nuk është një kundërvajtje e papërfillshme, siç mund të mendohet. Ajo është e dënueshme.

Si bazë për vlerësimin e shumës prej 320 milionë frangash të “djegura” si pasojë e punës në të zezë kanë shërbyer një numër studimesh dhe vlerësimesh të realizuara mbi këtë temë, transmeton albinfo.ch. Sipas tyre, kuota e punës së tillë në amvisni arrin në 40 deri 60 për qind të rasteve.

Ekspertët e quitt.ch vlerësojnë se janë në mes 200 mijë dhe 250 mijë familje zvicerane që punësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmëse për punët shtëpiake ose kujdestare fëmijësh. Por në përgjithësi, sipas studimeve të deritashme konsiderohet se rreth 400 mijë familje janë të varura nga një ndihmë e tillë e jashtme. Këtu hyjnë edhe ato raste kur ndihma vjen e ndërmjetësuar nga agjencitë përkatëse.

Quitt.ch në 82 për qind të rasteve ka përpunuar punësimin e pastrueseve dhe kujdestareve të fëmijëve duke ua  llogaritur orët e punës. Mesatarja vjetore e të ardhurave të tyre ka qenë 2400 franga bruto.

Ndryshe, e gjithë puna në të zezë që bëhet në Zvicër, sipas ekspertëve “peshon” rreth 43 miliardë franga, përcjell albinfo.ch. Kjo tregon se puna e pastrueseve dhe e kujdestareve të fëmijëve përbën më pak se një për qind të saj.