Shkurt.ch

322 mijë të huaj punojnë në Zvicër dhe banojnë në vendet e veta

Krahasuar me vitin 2003 numri i atyre që vijnë në Zvicër për të punuar nga zonat e afërta kufitare është pothuajse dyfish më i madh

Në fund të qershorit të këtij viti, në Zvicër kanë qenë duke punuar mbi 322 mijë persona nga vendet fqinje, nga zonat kufitare, ose siç njihen ndryshe si “punëtorë ndërkufitarë” (Frontalieri), shkruan srf.ch. Fjala është për punëtorë që punojnë në Zvicër ndërsa banojnë në vendet e tyre. Kjo është për 3.5 për qind më shumë se një vit më parë, bën të ditur Zyra Federale e Zvicrës për Statistikë.

Krahasuar me vitin 2003 numri i atyre që vijnë në Zvicër për të punuar nga zonat e afërta kufitare është pothuajse dyfish më i madh, transmeton albinfo.ch.

Numrin dukshëm më të madh të “frontalierëve” e përbëjnë ata që vijnë nga Franca, në regjionin e Liqenit të Gjenevës. Pas tyre në radhë janë punëtorët nga krahina franceze Alsas dhe ata nga landi gjerman Badeni (jugor) që punojnë në zonën e gjerë të Bazelit.

Një numër po ashtu i madh punëtorësh nga Italia, 65 mijë sish, punojnë në Kantonin jugor të Zvicrës, Tiçino. Pikërisht këta kanë shënuar rritjen më të madhe brenda një viti, nga të gjithë “frontalierët” tjerë, gjithsej 5.3%.