Shkurt.ch

33 shtretër donacion nga Zvicra për spitalin e Prizrenit

Një donacion me 33 krevatë (shtretër për pacientë) ka mbërritur të enjten nga Zvicra në Prizren. Donacioni i dedikohet Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Donacionin nga spitali kantonal i Winterthur-it të Zvicrës e ka sjellë Dr. med. Bujar Beqiraj, mjek në këtë spital dhe Antigona Kicaj, pronare e klinikës “Panta-med” në Vintertur.

Drejtori i përgjithshëm i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Dr.sci. Afrim Avdaj, ka falënderuar për donacionin e sotëm, i cili, sipas tij, do të lehtësojë punën e mjekëve në Prizren.

“Ky donacion është i mirëseardhur dhe do të jetë në shërbim të të gjithë pacientëve të shtruar në spitalin tonë dhe do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha drejtori Avdaj, transmetojnë mediat lokale në Prizren.

Donatorët kanë dërguar një letër, përmes së cilës tregojnë gatishmërinë për të ndihmuar shëndetësinë dhe popullin e Kosovës.

“Qëllimi i këtij donacioni është vullneti dhe dëshira për të ndihmuar sistemin shëndetësor dhe popullin në nevojë. Është kënaqësi që sot do të japim ndihmën tonë për përmirësimin e kushteve në Spitalin e Prizrenit. Edhe pse jemi të integruar në Zvicër, prapë ndjenja, lidhshmëria dhe dashuria për vendlindje është shumë e madhe. Shëndetësi më të mirë për të gjithë”, shkruajnë në letër Dr. Bujar Beqiraj dhe Antigona Kicaj, transmeton albinfo.ch.

Dy donatorët, Dr. med. Bujar Beqiraj, mjek në spitalin kantonal të Winterthur-it dhe Antigona Kicaj, pronare e klinikës “Panta-med” në Vintertur, kanë marrë mirënjohje në shenjë falënderimi nga Spitali Rajonal i Prizrenit.

Me mirënjohje janë nderuar edhe sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë,Gani Shabanin dhe shefi i Drejtorisë Rajonale të Doganës në Prizren, Kujtim Qafleshi.