CH-Ballkani

4 firma kosovare ekspozojnë në panairin e mobileve në Gjermani

Binni, Palma, Albed dhe Graniti janë katër kompanitë e përpunimit të drurit që përfaqësojnë Kosovën në Kolonjë, Gjermani nga16 deri 21 janari 2017.

Në Kolonjë të Gjermanisë ka hapur dyert Panairi Ndërkombëtar i Mobileve IMM (International MobelMesse), i cili vlerësohet të jetë më i madhi për prodhuesit e mobileve dhe interierëve në Evropë.

Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK) dhe 4 kompanitë e përpunimit të drurit po marrin pjesë duke promovuar produktet e tyre në Panairin e Mobileve IMM në Kolonjë të Gjermanisë me mbështetjen e EMPOWER Sektori Privat të USAID-it, në partneritet me Sida – (Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete).

Industria e përpunimit të drurit ka bërë përparim të madh në Kosovë në vitet e fundit. Kompanitë kosovare tani i furnizojnë me produktet e tyre si tregun vendor, ashtu edhe tregjet ndërkombëtare siç janë Gjermania, Holanda, Zvicra, Luksemburgu dhe vendet e tjera fqinje.

Mundësitë e tregut të arritshme përmes këtij panairi përfshijnë shitësit me shumicë/distributorët e mëdhenj, zinxhirët e shitjes me pakicë dhe kontraktorët.

Kjo është një ngjarje tejet e rëndësishme për çdo prodhues të mobileve apo interierëve që synon të eksportojë në Evropë.

Në Panairin IMM në Kolonjë produktet e tyre i kanë ekspozuar katër kompani të përpunimit të drurit nga Kosova (Binni, Palma, Albed dhe Graniti).

Produktet e ekspozuara nga këto kompani përfshijnë kuzhina dhe mobilje të tjera.

Vitin e kaluar, EMPOWER e ka bashkëfinancuar vizitën e disa kompanive në këtë panair, reagimet për të cilën kanë qenë tejet pozitive. Për këtë arsye, SHPDK, me mbështetjen e EMPOWER, e ka sponsoruar pjesëmarrjen në edicionit e vitit 2017 të këtij panairi; megjithatë, këtë herë, si ekspozues.

EMPOWER Sektori Privat i USAID-it është projekt pesëvjeçar që është krijuar për ta stimuluar krijimin e vendeve të punës në shkallë të gjerë duke e shtuar aftësinë konkurruese të firmave kosovare. Ky projekt realizohet nga Cardno Emerging Markets USA.