Integrimi

Pas 43 vitesh në Gjermani duan ta dëbojnë kosovarin në Serbi

"Më mirë le të më mbysin menjëherë, sepse kjo për mua është sikur ekzekutim", thotë Meta

Davit Meta, shqiptar nga Kosova, është 53 vjeç dhe jeton në Gjermani prej 43 vitesh, kur i është bashkuar prindërve që punonin atje si gastarbajterë. Problemi i tij është se edhe pasi ka kaluar afër gjysmë shekulli dhe praktikisht gjithë jetën në Gjermani, ai duhet të lëshojë vendin dhe të dëbohet jo në Kosovë por në Serbi. Autoritetet përgjegjëse në Würzburg nuk ia kanë vazhduar lejen e qëndrimit sepse, sipas tyre ai “në një të ardhme të afërt nuk është i aftë të sigurojë jetesën me punën e vet”. Duan ta dëbojnë në Serbi pasi që ai posedon vetëm pasaportën e Serbisë.

Meta kishte ardhur në Gjermani në moshën 9 vjeçare me prindërit e tij nga Kosova, atëbotë pjesë e ish Jugosllavisë. Edhe se kishte qenë i martuar me një gjermane, ai kurrë nuk kishte marrë pasaportën e Gjermanisë. “Me gruan jam martuar nga dashuria dhe jo për të përfituar pasaportën” thotë ai për br.de.

Pas tetë vitesh ata janë ndarë pa bërë shkurorëzimin. Me ish gruan, ndërkohë të vdekur, ai ka dy fëmijë, nipër dhe madje edhe stërnipër. Pasi ka kaluar operacione të ndryshme, ai nuk ka mundësi të mbajë veten. Krahas një pensioni për burrat e vejë, ai merr edhe Hartz IV (pension invaliditeti dhe papunësie). Por, në bazë të një kontrollimi që i është bërë është konstatuar se ai ka mundësi të punojë deri në gjashtë orë në ditë, me disa kufizime të vogla.

“I janë ofruar mundësi të ndërrimit të kualifikimit por nuk ka përfituar nga to. Qëndrimi i fundit i qendrës që ndërmjetëson punësimin, ka qenë se ai nuk ka motiv për punë dhe nuk është në dispozicion të tregut të punës.(…)

Veç kësaj gjykata ka konstatuar se nuk ekziston “një mishërim i vërtetë i tij me Gjermaninë. Fëmijët e tij janë të rritur dhe duket se nuk kanë me të ndonjë lidhje të fortë”. Madje një përgjegjës për integrim thotë qartë: “Nëse kushdo nga familja do të paraqitej dhe të thoshte se unë ia siguroj jetesën z. Meta – në kuadrin e një deklarate obliguese – atij mund t`i zgjatej qëndrim. Meqë duket se nuk ka asnjë nga familja që mund ta bënte këtë, në këtë kuadër nuk ekziston më asnjë mundësi për qëndrim”.

Për pasojë, autoritetet kërkojnë shkuarjen e tij. Në rast se ai nuk shkon vetë, atë e kërcënon dëbimi në Serbi, pasi që ai ka vetëm pasaportë serbe. Ambasada e Kosovës nuk ka pranuar ta njohë pasaportën e tij jugosllave dhe t`ia japë atij një pasaportë të e (kosovare).

Rreth kërcënimit për ta dëbuar në Serbi, Meta flet i dëshpëruar: “unë nuk e njoh gjuhën serbokroate, ndërsa sa i përket punësimit, në Serbi është edhe më keq se në Gjermani. Pa para nuk mund të siguroj as medikamentet. Prandaj, më mirë le të më mbysin menjëherë, sepse kjo për mua është sikur ekzekutim”.

Por, a ka të drejtë Gjermania ta dëbojë Davitin në Serbi? Një ekspert ligjor i kësaj fushe, avokati Hubert Heinhold është i prerë: “Një dëbim në Serbi , që bëhet në mungesë të pasaportës së tij kosovare, nuk mund të gjejë shprehje. I përmenduri ka përkatësi kosovare ndërsa raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç dihet, janë të tendosura. Ai ka kaluar pothuaj një jetë të tërë në Gjermani. Sa kohë u dashka që dikush të lëshojë rrënjë në Gjermani njëmend nëse jo kaq (sa Daviti)?”