Shkurt.ch

44.2 % të atyre që kanë marrë licencën e mjekut, janë të huaj

Ndërsa 1276 mjekë në vitin 2016 kanë punuar edhe pas moshës së pensionimit, që është tre fish më shumë se në vitin 2008

Gjithnjë më tepër mjekë në Zvicër punojnë edhe pas moshës së pensionimit. Kjo vlen më shumë për mjekët që kanë ordinancat e tyre ose punojnë në ordinanca e më pak për ata që punojnë në spitale. Sipas organizatës së mjekëve FMH, kjo ndodh mes tjerash edhe për faktin se gjithmonë ka vështirësi për t`u gjetur personi adekuat që do ta trashëgojë ordinancën, shkruan sda.ch

Kështu, në vitin 2008 në gjithë Zvicrën kishte 409 mjekë të praktikës së përgjithshme që punonin edhe pas mbushjes së moshës 65 vjeçare, ndërsa në vitin 2016 ishin 1276 të tillë, ose tre fish më shumë, transmeton albinfo.ch. Nëse këtu i fusim edhe mjekët stacionarë, numri shkon në 1347 të tillë që e kanë kaluar moshën e pensionimit.

Numri i mjekeve dhe mjekëve  në Zvicër edhe gjatë vitit 2016 ka pasur rritje, kështu, sipas të dhënave statistikore të prezantuara të martën nga FMH në Zvicër kanë qenë duke punuar gjithsej 36.175 mjekë. Kjo i bie që në 1000 banorë të jenë 4.2 mjekë.

Statistika në fjalë tregon po ashtu se është rritur edhe përqindja e femrave në profesionin e mjekes, ashtu sikurse është rritur edhe përqindja e mjekëve që kanë një diplomë nga jashtë vendi.

Meshkujt edhe më tutje përbëjnë shumicën, gjegjësisht 58.7 për qind të mjekëve, por përqindja e femrave nga viti 2010 është rritur për 37.9 %.

Sa u përket mjekëve me diploma të vendeve të tjera, prijnë bindshëm ata nga Gjermania me 53.6%, përcjell albinfo.ch. Pas tyre vijnë austriakët që përbëjnë 10.8% të të huajve me diploma të vendeve të prejardhjes, pastaj italianët, me 9.6 dhe francezët me 3%.

Në përgjithësi mjekët me diploma të huaja përbëjnë 44.2 për qind të të gjithë atyre që kanë marrë licencën e mjekut në Zvicër gjatë vitit 2016.