Shkurt.ch

Gjysma e zviceranëve duan mbylljen e kufijve për refugjatët

60.9 për qind të tyre duan që Zvicra të ketë një “rol prijës” sa i përket angazhimit humanitar

Afër gjysma e zviceranëve ose 44.6% të tyre do të përkrahnin mbylljen e përkohshme të kufijve si reaksion ndaj fluksit të madh të refugjatëve. Ky konstatim del nga sondazhi reprezentativ që e ka zhvilluar kolektivi artistik com&com në bashkëpunim me Universitetin e Bazelit. Rezultatet i ka publikuar sot gazeta “Schweiz am Sonntag”.

Sondazhi në fjalë tregon po ashtu se sa të ndara janë mendimet në Zvicër sa i përket qasjes ndaj fluksit të refugjatëve. Kështu, 60.9 për qind të tyre duan që Zvicra të ketë një “rol prijës” sa i përket angazhimit humanitar. Ndërsa 83.1% janë për atë që Zvicra t`i ndihmojë refugjatët në vendet e tyre të prejardhjes dhe këtë ta bëjë në mënyrë sa më “zemërgjerë”.

Vetëm 26.5% të të anketuarve thonë se Zvicra ka mundësi të pranojë deri në 40 mijë refugjatë në vit ndërsa 64.4 druajnë se në Zvicër do të rrezikohet niveli i mirëqenies në rast strehimi të një numri të madh të refugjatëve. Autoritetet në Bernë parashohin për vitin 2015 dhe 2016 një numër prej rreth 30 mijë refugjatësh.

Krahas çështjes sërefugjatëve, sondazhi i përmendur, i realizuar me 1002 persona ka trajtuar edhe qëndrimin e zviceranëve mbi BE-në. Në këtë pikë, qëndrimi refuzues i tyre ndaj hyrjes së Zvicrës në BE ka shënuar vlera rekorde: 85.8% janë kundër asaj që vendi i tyre të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.