Shkurt.ch

4500 kamionë më tepër rrugëve të Zvicrës

Gjatë muajit gusht ka pasur një rritje prej 6 për qind të numrit të kamionëve që kanë kaluar përmes tunelit Gotthard dhe 7 për qind  përmes San Bernardinos

Bllokimi i aksit hekurudhor veri-jug në Gjermani ka bërë që një pjesë e madhe e mallrave nga Gjermania që përmes Zvicrës kalojnë drejt Evropës së Jugut, të transportohen me kamionë. Kështu, ndërmarrjet hekurudhore po humbasin për çdo ditë numër të madh porosish për transport mallrash në këtë relacion, shkruan srf.ch.

Nga na tjetër, siç bën të ditur Zyra Federale e Zvicrës për Komunikacion Rrugor, Astra, gjatë kësaj kohe po përfiton transporti përmes kamionëve, transmeton albinfo.ch. Sipas zyrës në fjalë, gjatë muajit gusht ka pasur një rritje prej 6 për qind të numrit të kamionëve që kanë kaluar përmes tunelit Gotthard dhe 7 për qind  përmes San Bernardinos.

Kjo, e përkthyer në shifra, tregon se vetëm gjatë gushtit, 4500 kamionë më tepër se në kushtet normale kanë kaluar në rrugët e Zvicrës në linjat e përmendura.

Megjithatë, ende nuk mund të dihen përmasat e sakta të rritjes së qarkullimit të kamionëve nëpër rrugët zvicerane. Po kështu nuk dihet saktësisht numri i porosive që ndërmarrjet hekurudhore kanë humbur gjatë periudhës sa po zgjat bllokimi, përcjell albinfo.ch. Më 4 tetor pritet që të hiqen pengesat në Gjermani dhe që trenat të qarkullojnë sërish në aksin veri-jug.