Shqipëria

49% e shqiptarëve kanë opinion pozitiv për ministrin Xhafaj

Fushata e opozitës për përfshirjen e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe një dënimi në Itali, nuk ka ndikuar negativisht tek opinioni publik në Shqipëri.

Sipas një sondazhi, 49% e qytetarëve mendojnë se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka bërë punë pozitive, përcjell albinfo.ch.

Sondazhi i realizuar nga FBA Poll thotë gjithashtu se 19% e opinionit kanë shprehur një qëndrim neutral dhe 32% thonë se ministri Xhafaj ka bërë një punë negative. Eduard Zaloshnja thotë se sondazhi u krye me 1188 të anketuar në gjithë Shqipërinë.

“Këto rezultate i kam llogaritur përmes ekstrapolimit të të dhënave të sondazhit elektronik të radhës, në serinë e sondazheve që kam zhvilluar kohët e fundit për revistën “Follow Business Albania”, e cila publikohet nga firma CROSG®”, ka thënë ai.