Kultura

50-vjetori i krijimtarisë së gjeniut Woody Allen

Ai është një nga artistët më të famshëm dhe më kontrovers të filmit që ka krijuar gjatë këtyre 50 viteve të kaluara. Filmat e tij asnjëherë nuk kanë sjellë përfitime të mëdha në arkat e filmit, por shumica e tyre konsiderohen si vepra arti e si thesar kinematografik

Woody Allen (1935) është shfaqur në opinion fillimisht me shkrime nëpër revista, ku ka botuar barsoleta e pjesë të shkurtra komike. Por në botën e filmit ka hyrë me skenarin e filmit “What’s new Pussycat?” (Çka ka të re mace?), një komedi që ishte mirëpritur nga audienca e nga kritikët, ku Woody shfaqej edhe si aktor në njërin nga rolet. Por edhe pse filmi kishte pasur goxha sukses komercial e i solli famë e mirënjohje duke bërë që Allen të nominohej edhe nga Shoqata Amerikane e Skenaristëve për skenarin më të mirë, ai ishte ndarë i pakënaqur me trajtimin që i kishte bërë skenarit të tij regjisori Clive Donner. Prandaj nga ai moment merr një vendim që të gjithë skenarët që do t’i shkruajë edhe t’ua bëjë regjinë vetë.

Filmi i parë i tij si skenarist e regjisor, apo siç quhet me zhargonin e kineastëve, si autor, është “Çkemi, Tigër Lily” i realizuar më 1966, një film që tregonte se një autor i veçantë, për të mos thënë i çuditshëm, po vinte. Filmi i tij i parë është i zhanrit komedi dhe paraqet një lloj parodie e interkomunikimi me filmin japonez, “Key of Keys” (Çelësi i çelësave). Pas këtij debutimi interesant regjisorial, Allen vazhdon me komedi duke i sjellë publikut filma që do të mbahen mend e do të futen nëpër katedrat e universiteteve si filma që duhet parë e studiuar. Pra, faza e parë e Allen është faza e komedive me të cilat asi stampoi emrin e tij në historinë e kinematografisë e madje duke u vlerësuar si një nga komediografët më të mirë, krahas Charlie Chaplin, Buster Keaton, Vëllezërit Marx, etj. Kësaj periudhe i takojnë filmat: “Take the money and run” (Merri paratë dhe ik), “Bananas” (Bananat), “Everything you wanted to know about sex…” (Çdo gjë që donit të dinit për seksin), “Sleeper” (Gjumashi) dhe “Love and Death” (Dashuri dhe vdekje). Këto filma sollën një frymë të re në kinemanë amerikane e botërore, e u vlerësua e u bë i dashur sidomos për festivalet dhe për filmofilët. Filmat e tij ishin të shkruar mirë (skenari ka qenë dhe mbetet pika më e fortë e Allenit i cili vetën e konsideron shkrimtar që i xhiron veprat e veta), me një regji të thjeshtë por plot dinamikë në aspektin e lojës së aktorit, xhirimin e skenave të tëra e bën më një kuadër të pandërprerë, ose me shumë pak prerje. Dialogët e shkruar nga Allen janë ndër dialogët me të njohur dhe më të cituar. Kushdo që sadopak e përcjell artin kinematografik do të ketë dëgjuar për batutat e tilla si: Unë nuk kam frikë nga vdekja, vetëm nuk dua të jem aty kur do të ndodhë; I vetmi pendim që kam në jetë është se nuk jam dikush tjetër; etj.

Woody Allen është artist, është krijues që nuk njeh limite. Ai krijon e krijon pa pasur frikë, pa pasur në mendje frikën se si do të pritet vepra e tij. Madje ai shprehet se: nëse filmat e mi nuk tregojnë sukses komercial, atëherë e di që kam bërë diçka të mirë. Ai nuk le temë pa prekur e pa ironizuar. Edhe pse krijimtaria e tij është vështirë të përkufizohet brenda një poetike, megjithatë postmodernistët e konsiderojnë si të tyrin, pasi që me filmat e tij, qoftë për nga forma apo nga përmbajtja, krijimtaria e tij përmban shumë elemente të postmodernës. Madje shpesh është edhe paraprijës i elementeve që më vonë janë quajtur postmoderne.

Pas periudhës së komedive, Allen kalon në një fazë të re të krijimtarisë, në një fazë më të errët që mund të quhet periudha bergmaniane e tij. Allen është një fans i jashtëzakonshëm i regjisorit suedez, Ingmar Bergman, ndikimet e të cilit nuk i fsheh por i thekson me qëllim. Në periudhën e dytë të krijimtarisë së tij bëjnë pjesë filma të tillë si “Annie Hall”, “Manhattan”, që nga shumë adhurues e studiues të kinemasë llogariten si kryeveprat e Allen. “Annie Hall” fiton ndër të tjera edhe mirënjohjen e madhe nga Akademia e Filmit dhe Shkencës Amerikane duke u shpërblyer me katër çmime Oskar, përfshirë çmimin për skenar, regji dhe filmin më të mirë.

Woody Allen ishte përjashtuar nga universiteti por me krijimtarinë e tij që shtrihet në fushën e filmit, teatrit dhe letërsisë është shndërruar ne Universitet. Sigurisht se më shumë çmohet si kineast, por edhe komeditë e tij të shkruara për teatër kanë zënë një vend të rëndësishëm nëpër teatrot e Amerikës e të mbarë botës, e gjithashtu edhe tregimet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë përfshirë disa edhe në gjuhën shqipe.

Dramat e Allen që veçohen janë “Don’t drink the water”, e cila përveç se është vënë në skenë me qindra herë, është shndërruar edhe në film. Mandej drama “Play it again, Sam” (Luaj sërish, Sam), dramë e inspiruar nga filmi kult “Casablanca” i Michael Curtis, që u vu në skenë më 1969 dhe që pati qindra repriza (453),  e që e njoftoi autorin me aktoren Diane Keaton, e cila luante në shfaqje e që më pas do të bëhet edhe e dashura dhe muza e Allen-it. Keaton do të shfaqet edhe në filmin që do të bëhet në bazë të dramës dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet edhe në filmat tjerë të Allen-it, mbase në ata filma që konsiderohen si ajka e krijimtarisë së tij. Keaton për rolin e saj në “Annie Hall” do të shpërblehet edhe me Oskar. Ajo për autorin Woody Allen thotë: “Ai më tregonte litarët dhe unë e ndiqja pas. Ai është personi më i disiplinuar që e njoh. Ai punon shumë”. Diane Keaton ka të drejtë. Woody Allen është një nga personat më punëtorë në botë. Ai pothuaj se çdo vit bën nga një film, shkruan tregime, luan në filma dhe çdo të diele bashkë me bendin e tij bën muzikë xhaz (jazz). Madje Allen është aq i dhënë pas klarinetës së tij, me të cilën performon dhe nuk i lë të dielat e performancave në klub për asnjë çmim. Madje kur është pyetur se pse nuk shkon asnjëherë në ceremoninë e Oskarit, ku ai vetë është nominuar plot 21 herë dhe mban rekordin për nominime, ka deklaruar se: “Ceremonia mbahet të dielave e unë nuk mund të shkoj pasi që performoj me bendin në klub”.

I jashtëzakonshëm në çdo aspekt, Woody Allen edhe tani pas 50 vitesh krijimtari filmike dhe 81 vite mbi supe, vazhdon të befasojë me veprat që i sjell në ekran. Ai është një model i njeriut që punën e ka mbi të gjitha dhe se vetëm përmes punës gjen paqen shpirtërore. Madje siç ka thënë ai është i bindur se vetëm duke punuar do të arrijë të shmang vdekjen. E nëse kjo është e vërtetë, Woody Allen edhe për shumë vite e dekada do të jetë i pranishëm nëpër kinema me filma të rinj, pasi që ai nuk ndalet së punuari. Fundja ai është gjeni, e gjenialitetin e ka arritur përmes punës, sepse ai ka besuar në thënien e shkrimtarit gjerman, Goethe se: “Puna është gjeni”. Woody Allen është punëtor, Woody Allen është gjeni.

 

*Autori i ketij shkrimi është regjisor filmi dhe teatri.