Shkurt.ch

5500 ndërtimtarë protestuan për rritje të pagave

Kërkesa kryesore e protestuesve ka qenë rritja për 150 franga e pagës mujore të ndërtimtarëve për këtë vit dhe vitin tjetër

Mijëra punëtorë të ndërtimtarisë kanë demonstruar sot paralelisht në Lozanë dhe në Olten, duke kërkuar rritje e pagave dhe më shumë shtesa. Sindikata Unia dhe ajo Syna që ishin organizatore e demonstratës flasin për rreth 5500 pjesëmarrës në të dy tubimet, marrë së bashku. Një shifër të tillë e konfirmon për agjencinë SDA edhe policia e dy qyteteve ku u mbajtën demonstratat.

Kërkesa kryesore e protestuesve ka qenë rritja për 150 franga e pagës mujore të ndërtimtarëve për këtë vit dhe vitin tjetër, transmeton albinfo.ch. Veç kësaj, ata kërkojnë edhe një shtesë për pagesën e premive të sigurimit shëndetësor dhe një përshtatje në kompensimin e shtesave të drekës.

Në përfundim të aktivitetit në Olten, kryetarja e sindikatës Unia, Vania Alleva ka thënë se “është `jo-fer` që ndërtimtarët të mos shpërblehen për tri vite me radhë ndërkohë që dega e ndërtimtarisë “i ka punët” shumë më mirë se më parë. Kjo gjendje duhet të ndryshojë tash”.