Shkurt.ch

6 ushtarë zviceranë, me përshëndetje hitleriane para kryqit të thyer nazist

“Armata nuk toleron asnjë formë ekstremizmi dhe po kështu, as simbolet dhe gjestet për të cilat po bëhet fjalë”, ka thënë një zëdhënës i armatës, i cili ka konfirmuar se po zhvillohen hetime në këtë drejtim

Gjashtë pjesëtarë të Armatës së Zvicrës kanë bërë poza naziste dhe janë fotografuar. Fotografia të cilën e ka publikuar gazeta “SonntagsBlick” tregon se si gjashtë ushtarë bëjnë përshëndetjen hitleriane para kryqit të thyer nazist, të shtypur në sipërfaqen e borës.

Policia ushtarake është duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin, ka thënë një zëdhënës i armatës, transmeton albinfo.ch. Ai ka konfirmuar se sipas rezultateve që do të kenë, në hetime do të inkuadrohet edhe drejtësia ushtarake.

“Armata nuk toleron asnjë formë ekstremizmi dhe po kështu, as simbolet dhe gjestet për të cilat po bëhet fjalë”, ka thënë më tutje zëdhënësi.

Por, siç shkruan gazeta më tutje, sado të ulëta që të jenë këto poza, ushtarët në fjalë nuk janë të vetmuar me orientimin e tyre. Kohë më parë, katër grenadierë kishin bërë po ashtu gjatë shërbimit të tyre ushtarak në Isone (Tiçino) përshëndetjen hitleriane, përcjell albinfo.ch. Ndërsa një oficer i lartë me rastin e një ligjërate shprehej me admirim për feldmareshalin nazist Erwin Rommel. Po ashtu një neonazist kishte shtyrë deri në Gjykatën Federale Administrative lëndën e tij kundër ndalimit të armëmbajtjes.

Për të bërë identifikimin me kohë të rasteve të ngjashme, Armata ka themeluar qendrën profesionale për ekstremizmin. Në këtë qendër, pjesëtarët e armatës por edhe qytetarët në përgjithësi mund të bëjnë denoncimin e personave të dyshuar, transmeton albinfo.ch. Gjatë vitit 2015 në këtë qendër kishin ardhur gjithsej 34 denoncime, 60 për qind të të cilave kishin të bënin me rastet e ekstremizmit të djathtë.