Bota

68 të vdekur nga sulmet terroriste në BE më 2017

Këto sulme kanë lënë edhe 844 njerëz të plagosur, thuhet në raport

Agjencia evropiane për sundimin e ligjit – Europol – publikoi të enjten raportin për terrorizmin në Bashkimin Evropian, i cili thekson se në vitin 2017, 68 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve terroriste.

Këto sulme kanë lënë edhe 844 njerëz të plagosur, thuhet në raport. “Nëntë shtete anëtare të BE-së raportuan një total prej 205 sulmesh të dështuara dhe të realizuara terroriste në vitin 2017. Shifra paraqet rritje për 45% krahasuar me vitin 2016 dhe ndryshim të trendit të rënies që ka nisur në vitin 2014”, thekson raporti i Europol-it, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

I njëjti po ashtu bën të ditur se, vitin e kaluar në BE, janë arrestuar 975 individë për shkelje të lidhura me terrorizmin.

“Shumica e këtyre arrestimeve kanë qenë të lidhura me terrorizmin xhihadist, me dyshimet për pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist, planifikim dhe përgatitje të sulmeve, si dhe me aktivitete të lehtësimit: shpërndarje të propagandës, rekrutim dhe financim të terrorizmit”, thekson Europol-i.