Feja

75 xhami në shërbim të shqiptarëve të besimit islam në Zvicër

Imami Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ) flet mbi organizimin e shqiptarëve të besimit islam në Zvicër

  • Keystone/ Ilustrim

Në bllokun e temave mbi organizimin e diasporës shqiptare në Zvicër, albinfo.ch ka përfshirë edhe organizimet në baza fetare. Në emrin e komunitetit të besimit mysliman ka folur imami Nehat Ismaili, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ). Ai në intervistën e tij ka folur në lidhje me unionin që drejton, aktivitetet e UISHZ-së, raportet me besimtarët e religjioneve tjera, me autoritetet zvicerane etj.

Albinfo.ch: Si është i organizuar Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicër?

Imam Nehat Ismaili: Ideja për themelimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka filluar diku kah viti 2010, si nevojë e domosdoshme që imamët shqiptarë që strukturohen dhe konsolidojnë radhët e tyre sipas standardeve dhe trendëve të kohës në një kohë shumë dinamike dhe në një vend të zhvilluar siç është Zvicra. Deri në këtë kohë, imamët shqiptarë ishin një shumicë e heshtur që nuk kishte ndonjë organizim të mirëfilltë funksional pos disa organizimeve që merreshin kryekëput me organizimin e haxhit dhe botimin e kalendarëve. Ishte pra nevojë imediate një strukturë organizative e cila rreth vetes do t`i tubonte të gjithë imamët apo shumicën dërmuese të cilët me potencialin dhe kreativitetin e tyre duhej të merrnin përgjegjësitë mbi vete. 22 janari i vitit 2012 është dita e themelimit të Unionit në Bernë. Po në të njëjtën ditë është bërë zgjedhja e organeve drejtuese, miratimi dhe votimi i statutit. Unioni ka strukturën e vet, kryesinë e cila përbëhet nga pesë anëtarë, kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit si dhe këshillin mbikëqyrës të përbërë nga tre anëtarë.

Si organizohet jeta fetare e shqiptarëve myslimanë në Zvicrës?

Mënyrë më e shëndoshë dhe më e sigurt e zhvillimit të jetës fetare në një vend të zhvilluar dhe të bukur siç është Zvicra është forma institucionale, nëpërmjet themelimit të qendrave islame. Në këto qendra kryhen faljet ditore, javore, shënimi i festave fetare dhe tani kohëve të fundit edhe atyre kombëtare. Aty zhvillohet mësimi fetar në gjuhën shqipe, organizohen manifestime të ndryshme me karakter kulturor, sportiv, edukativ, humanitar dhe aktivitete me programe të caktuara për ngritje të cilësisë së integrimit të mirëfilltë.

Organizimi shkon në nivel lokal, në nivel kantonal dhe në nivel të konfederatës së Zvicrës. Që nënkupton që Qendra Islame veprimtarinë e saj duhet ta shtrijë konform standardeve fetare dhe në përputhje me rendin e brendshëm. Në nivel kantonal është i rëndësishëm participimi i xhamive në Unione dhe asociacione të ndryshme nga shkaku i diversitetit në sistemin legjislativ që kantonet kanë mes vete, dhe kërkesat e tyre duhet të harmonizohet konform ligjeve dhe platformave të parapara dhe rregulluara me ligj. Po ashtu edhe në nivel të Konfederatës, xhamitë përfaqësohen në FIDS nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kantonal. Tani së fundmi, UISHZ është anëtarësuar në FIDS me të drejta të plota.

A keni shënime sa xhami shqiptare të regjistruara kemi në Zvicër dhe sa mund te jetë numri besimtarëve shqiptarë që frekuentojnë ato?

Shumica e xhamive shqiptare në Zvicër janë me imamë të rregullt, të punësuar. Në disa prej tyre imami është i punësuar në fundjavë e po ashtu ekzistojnë edhe xhami të cilat në mungesë të buxhetit nuk mund të sigurojnë imam të rregullt, por sjellin imam me kontratë për tre muaj. Në bazë të të dhënave që disponojmë, numri i xhamive shqiptare në Zvicër ndryshon nga viti në vit dhe sillet diku në 75 xhami shqiptare apo Qendra Islame Shqiptare. Numri më i madh i besimtarëve është prezent ditëve të premte, në mesditë kur edhe falet namazi i xhumasë si namaz më i rëndësishëm i javës, si dhe të dielave në drekë. Ditëve tjera, xhamitë më pak frekuentohen për shkak të angazhimeve të besimtarëve me punë të përditshme dhe obligime familjare. Disa qendra kanë mbi 500 anëtarë të rregullt që paguajnë anëtarësi dhe të tilla janë disa në Zvicër por kemi qendra islame të cilat janë me numër të kufizuar të anëtarëve, deri në 100 anëtarë.

Cili është roli i një imami në edukimin e një besimtari shqiptar. Çfarë bën ai, çfarë temash ligjëroni në nxitjen e një besimtari për të qenë i devotshëm?

Roli i imamit është shumëdimensional. Duhet të jetë në hap me trendet e kohës në mënyrë që të zhvillojë aktivitete nga më të ndryshmet. Me theks të veçantë përdorimi i rrjeteve sociale, internetit për komunikimi me publikuan sa janë lehtësuese aq janë të domosdoshme. Secili prej tyre në xhaminë që vepron organizon aktivitete që konsideron se janë të nevojshme për rrethin dhe vetëdijen e besimtarëve, konform kushteve, dhe planit vjetor të imamit dhe kryesisë së xhamisë. Edukimi, dhe mësim besimi janë thelbësore për punën e imamit. Por nuk duhet anashkaluar aktivitetet për zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës amtare, aktivitete sportive, humanitare, dhurimi i gjakut, organizimi i ekskursioneve brenda dhe jashtë Zvicrës, kampingjet etj. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, imami duhet të përgatisë masat e gjera, duke ligjëruar mbi njohjen e Zotit, devotshmërinë, vlerat universale, nevojën e njohjes me komunitetet tjera, tema mbi shëndetësinë, mbi edukimin etj.

Dihet që objektet fetare dhe puna e imamëve duhet të paguhen, si financohen xhamitë shqiptare? A merrni ndihma nga shteti i Zvicrës?

Kryesisht xhamitë shqiptare funksionojnë në saje të pagesës së anëtarësisë vjetore të rregullt.  Kjo dallon nga vendimi i kryesisë dhe nevojat e vet xhamisë.  Një anëtarësi mesatare vjetore është diku 350 sfr. Me pagesën e kësaj anëtarësie, besimtari ka të drejtë të shfrytëzojë lokalin e xhamisë për manifestime fetare, familjare. Këtu përfshihet edhe sigurimi mortor, me ç` rast xhamia obligohet që të përgatisë kufomën sipas riteve fetare islame, të ofrojë lokalin për të pame, shërbesat fetare etj. Natyrisht, këtu hyjnë edhe qiratë nga objekti nëse xhamia disponon me hapësira më të mëdha. Pastaj në kuadër të çdo xhamie funksionon nga një kafiteri për nevojat e besimtarëve, mjetet argëtuese për të rinjtë, donacionet nga vetë besimtarët, organizimi i grumbullimit të ndihmave dhe kontributeve gjatë ditëve të premte, janë një ndihmesë shumë e madhe për funksionim normal të xhamive. Asnjë ndihmë materiale nuk marrim nga asnjë institucion.

Në këtë pikë, cili është bashkëpunimi apo a ka fare bashkëpunim me strukturat e shtetit zviceran, qofshin ato fetare, kulturore, të shkollës apo organet kompetente për organizimin e jetës fetare?

Kemi bashkëpunim të ngushtë dhe zhvillojmë dialog në shumë rrafshe, qofshin në rrafshin fetar, kulturor, arsimor etj. Shumica dërmuese e imamëve janë pjesë aktive në platforma të ndryshme për dialog interreligjioz, zhvillojnë aktivitete kulturore në rrafshin lokal dhe kantonal. Po ashtu duhet potencuar që kemi disa imamë të cilët janë të kyqur në lëndën fetare nëpër shkolla publike aty ku ligji e mundëson si pilot projekt, të cilët kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme me angazhimin e tyre.

Cilat janë kontaktet me përfaqësitë diplomatike në Zvicër të vendeve të prejardhjes, në çfarë niveli është bashkëpunimi apo kontakti me ambasadat?

Më tepër janë kontakte sesa ndonjë bashkëpunim konstant. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm sa herë që ftohemi për ndonjë projekt me interes kombëtar t`i përgjigjemi ftesës shumë seriozisht, duke ofruar bashkëpunim konstruktiv dhe logjistik. Xhamitë disponojnë me hapësira dhe logjistikë, dhe padyshim do të vihen në shërbim të interesit kombëtar dhe fetar.

Dhe për fund, më bëri përshtypje dita e hënë si ditë e lirë për imamët. Me çfarë orari punojnë/shërbejnë imamët?

Dita e hënë për shumicën e imamëve është ditë pushimi por jo domosdoshmërisht. Aktivitetet tona kryesisht janë në fundjavë, prandaj edhe dita e pushimit për ne duhet të rregullohet në atë mënyrë që të mos bie ndesh me shërbimin dhe ecurinë normale të aktiviteteve të xhamisë dhe besimtarëve.