Kultura

9 filma shqip nga sot mund t’i shihni në ‘GjirafaVideo’

Producentët, të cilët kanë zgjedhur t’i shfaqin filmat e tyre në GjirafaVideo, u shprehën të kënaqur që tashmë kanë një platformë vendore, ku do t’i shfaqin filmat e tyre

Nëntë filma shqip, të përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, shumica prej të cilëve janë fitues të çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, nga sot mund të shikohen në GjirafaVideo.

Kjo është mundësuar pasi Qendra Kinematografike e Kosovës ka nënshkruar Memorandum bashkëpunimi me GjirafaVideo.com për shfaqjen online të filmave të subvencionuar nga QKK.

“Kjo është një mundësi fantastike si për krijuesit, ashtu edhe për publikun, për të pasur qasje në shumicën e prodhimtarisë filmike të mbështetur nga QKK, duke qenë se zhvillimi i politikave që i shërbejnë interesit publik është edhe misioni i Qendrës Kinematografike të Kosovës”, ka deklaruar drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Producentët, të cilët kanë zgjedhur t’i shfaqin filmat e tyre në GjirafaVideo, u shprehën të kënaqur që tashmë kanë një platformë vendore, ku do t’i shfaqin filmat e tyre. Këta 9 filma, por edhe të tjerët që pritet të publikohen në muajt në vazhdim, mund t’i shikoni në: qkk.gjirafa.com.