Lajme

9 vjet pavarësi: Ëndrrat e diasporës dhe realiteti

Për të fituar një pasqyrë rreth asaj se si është ëndërruar pavarësia e Kosovës dhe si duket realiteti i saj sot, albinfo.ch ka bërë një anketë me një numër bashkatdhetarësh të profesioneve të ndryshme

9 vjet kanë kaluar nga dita kur në Kuvendin e Kosovës u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Diaspora, si pjesë përbërëse, në momente edhe fuqi motorike e proceseve politike në Kosovë, la pasur pritjet e saj nga ky zhvillim kulmor. Por cilat kanë qenë pritjet e diasporës nga pavarësia e Kosovës dhe si duket realiteti i sotëm nga perspektiva e diasporës pas nëntë vitesh jete të pavarësisë? Për të fituar një pasqyrë rreth kësaj, albinfo.ch ka bërë një anketë me një numër bashkatdhetarësh të profesioneve të ndryshme.

Optimistët


Musa Kamenica, politolog

Edhe pse me hapa shumë të ngadalshëm, subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës çdo vit e më shumë është duke fituar në substancë. Këtu mund të marrim shembull anëtarësimin e saj kohën e fundit në organizatat e ndryshme sportive dhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Mirëpo ajo që shqetëson është se edhe pas 9 viteve të pavarësisë, integriteti territorial i Kosovës është ende i rrezikuar nga shteti serb e kjo më së mirë është vërejtur muajve të fundit ku kishte një seri provokimesh nga ana e Serbisë.

Mendoj se kjo është rezultat i një mungese të lidershipit të Bashkimit Evropian në zgjidhjen e problemeve territoriale në regjion dhe i një paqartësie të politikës së tij (BE) në integrimin e shteteve të Ballkanit perëndimor në gjirin e tij. Dhe nga ky vakum më së miri është duke e përfituar Rusia,  influenca e së cilës viteve të fundit është dukshëm më e theksuar në regjion dhe sidomos në Serbi.

Sa i përket progresit ekonomik, shteti i Kosovë vazhdon që edhe pas 9 viteve të pavarësisë të përballet me një papunësi shumë të madhe të popullatës, posaçërisht te të rinjtë, me një nivel të lartë të varfërisë, me një prezencë të theksuar të korrupsionit dhe sidomos me një të ardhme të paqartë për banorët e saj.

Prandaj, në Kosovë duhet të mendohen strategji të mirëfillta ekonomike dhe një luftim i rreptë i korrupsionit që do të mundësonin thithjen e investimeve të huaja, që mendoj se është thelbi i daljes së vendit nga kjo krizë e thellë ekonomike dhe sociale.

Skeptikët


Shqipe Bytyçi Kajtazi, arkitekte

Pritjet e mia ishin reale dhe të natyrshme, asgjë më shumë e as më pak se te krijohet, zhvillohet dhe forcohet shtetësia në të gjitha segmentet dhe në gjithë territorin e Kosovës, natyrisht e tërë kjo pritej të përballej me vështirësi dhe sfida të shumta. Por ja që sfidat ishin edhe më të shumta dhe fatkeqësisht Kuvendi Kosovës nuk arriti të ushtrojë funksionin e tij të plotë si organ jo vetëm ligjvënës por edhe kontrollues mbi organe dhe institucione kushtetuese. Kosova ka nevojë për reformim rrënjësor, duke filluar me demokratizimin nga lartë-poshtë dhe anasjelltas të partive politike, strukturave shtetërore dhe OJQ –ve. Mbase një Komision Strategjik Emergjent Kombëtar që identifikon, vlerëson dhe mbështet punën e Kuvendit si organi më i lartë legjislativ dhe kontrollues, do të ishte njëra nga mundësitë më moderate për të dalë nga kriza.

Ali Sulejmani, nëpunës

Pavarësinë e kam konsideruar si një akt i fillimit të një shtetndërtimit të mirëfilltë që do t`ua kthejë dinjitetin e përbuzur si shqiptarëve në Kosovë e shpesh po ashtu edhe atyre në mërgatë. Ndjenjë e ngrohtë kjo, të thuash: Jam nga një vend që është shtet!

Derisa një kastë politike e biznesmenësh janë pasuruar, shumica e shqiptarëve në Kosovë jetojnë në pasiguri dhe skamje e mungesë perspektive në vendin e tyre. Ne nga mërgata konsiderohemi “këta të jashtmit”, paguajmë, milemi dhe në masë edhe garantojmë paqen sociale. Ende s`ka transport publik nga Aeroporti i Prishtinës, ende paguajmë taksa dhe haraç kur kalojmë me pasaportë të Kosovës nëpër Serbi, ende presim në radhë të gjatë në të ftohtë e diell përcëllues nëpër kufij. Ende konsiderohemi me fat që kemi ikur nga atdheu, prej atyre që kanë mbetur atje.

Përparim Avdili, punëtor banke, politikan

Edhe 9 vite pas shpalljes se Pavarësisë, Kosova duket se ende po e kërkon rrugën që të mos varet nga askush. Rrugë kjo e vështirë por jo dhe e pamundur. Varësia nuk është vetëm fakti që Kosova si duket ende nuk është zot mbi territorin e saj që ajo pretendon të ketë, apo dhe që mos të dijë se ku janë kufijtë e këtij shteti. Duke pasur parasysh rrethanat ekonomike dhe politike, varësia më e madhe është ajo e papunësisë dhe mentalitetit politik të një periudhe të kaluar. Kur konsumon mediat kosovare, nuk të shkon mendja që lufta është tanimë gati 20 vite larg. Politika ende bëhet mbi bazë të luftës së kaluar, gjë që kultivohet qoftë nga pozita apo edhe opozita. Natyrisht që e kaluara duhet të përmbyllet ndershëm, duhet vendosur drejtësi për njerëz akoma të humbur gjatë luftës, dhe duhet nderuar dhe rikujtuar ata që sollën këtë liri. Por, unë besoj që kjo gjë mund të bëhet më mirë nëse politika dhe shoqëria civile fokusohet në të ardhmen e vendit, se sa të merret me të bëmat dhe të pabëmat e historisë. Fatkeqësisht shoqëria kosovare, e cila arriti të prodhojë shumëçka të cilën sot e vajtojmë, ende nuk arriti të krijojë një mentalitet politik që ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, krijim e vendeve të punës përmes investitorëve privatë dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Për të arritur këto qëllime duhet angazhimi i çdokujt, nga kryetari i vendit si dhe partitë politike që të bashkëpunojnë pa barriera ideologjike kur është në pyetje shteti e deri te qytetari i thjeshtë, që rrugët e fshatit jo që i pastron por hedh mbeturinat mbi të. Qytetarët duhet të kuptojnë që edhe Gjermania ishte rrafsh me tokë pas lufte, por arriti brenda pak dekadash që të bëhet prapë fuqi botërore. Natyrisht me planin marshal ku paratë nuk munguan – gjë që edhe Kosovës nuk i munguan në fakt. Kosova ka një potencial jashtëzakonisht të madh ekonomik, një rini të shumtë në numër në krahasim me vendet tjera evropiane – ne tani mund të vendosim se çfarë të ardhme do t’i sjellim asaj gjenerate që po vjen duke filluar të punojmë dhe të lëmë anash muhabetet e kafeneve. Kosovës me këtë i uroj një jetëgjatësi të pafund, gëzuar

Kështjella Pepshi, politikane, modele

Para se të shpallej Pavarësia, unë, si pjesë e mërgatës, kam pritur që ajo të shpallet dhe ta pranojnë shumë shtete të botës dhe ashtu edhe ndodhi. Pavarësia u shpall, pra u realizua ajo që kemi pritur i gjithë populli shqiptar i Kosovës dhe gjithandej ku flitet shqip, brenda e jashtë trojeve shqiptare.

Por ndërkaq realiteti në Kosovë është i dhimbshëm, ka ngecje në procese institucionale, korrupsion e varfëri te skajshme. Pastaj, gjendja me demarkacionin i cili është i papranueshëm për popullin, gjendja në veri të Mitrovicës, muri ndarës… E gjithë kjo ndodhi si pasojë e keqmenaxhimit të institucioneve dhe e bisedimeve me palën serbe. Kështu, sot kemi situatën çfarë e kemi.

Pesimistët

Demë Shala Çeku, punëtor, sindikalist

Unë kam pritur që pas pavarësisë sektorët veç e veç do të jenë funksionalë së paku për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Ndërsa realiteti në Kosovë sot është i mjerueshëm, asnjë sektor nuk të jep bindjen se do të jetë funksional. Për veten time si mërgimtar, e vetmja kënaqësi është që kur të shkoj në Kosovë, nuk shkoj me frikën e okupatorit që bënte terror në çdo lëvizje që bënim! Sa për të tjerat, më duhet të them se jam i zhgënjyer në politikbërjen e pushtetarëve.

Pal Shtufi, pedagog

Pritjet e mia nuk dallonin nga ato të shumicës së mërgimtarëve: pritnim dashuri ndaj vendit, përgjegjësi për fatin e vendit tashmë të çliruar dhe mundësi ligjore që mërgata të derdhte kapitalin dhe dijet e akumuluara në Kosovë. Në fakt, shpresuam kot. Pushteti ra në dorë të njerëzve të padijshëm, pa kulturë elementare shtetformuese dhe të kleptomanëve të egër. Ky soj, të keqen e ka bërë normë shoqërore.

Mendoj se është bërë diçka në ndërtimin e shtetit, por as përafërsisht ajo që kemi pritur dhe që ishte e mundshme. Mungesa e kurajës të komandantëve që politikën t`ua lënë politikanëve, ka shkaktuar avari të mëdha në ndërtimin e shtetit. Nuk e di kur do të fillojë sendërtimi i ëndrrave tona, por e di se ato janë vra disa herë nga pushtetet politike në Kosovë! Shqetësimi tjetër është se as opozita nuk ofron ndonjë kualitet më të mirë. Ndoshta lindja e një partie të re, e përkrahur fuqishëm nga diaspora, mund t’i lëvizë gjërat drejt ëndrrave tona.

Xhemail Ferizi, politolog

Kemi shpresuar se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do ta marrë në dorë fatin e saj dhe do të dijë të vet udhëhiqet ashtu siç e meritojnë qytetarët e saj. Pritjet tona kanë qenë më të mëdha se sa janë realizuar si p.sh: të ketë siguri dhe liri lëvizje në tërë territorin e Kosovës, të bëhet bashkimi dhe integrimi i pjesës veriore  të vendit, të ketë zhvillim më të hovshëm ekonomik, zbutje të papunësisë, investime më të mëdha në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, përkrahje dhe interesim më të madh për kategoritë sociale me nevoja të veçanta, përkujdesje më të madhe për diasporën etj.

Ndërkaq pas nëntë viteve shtet nuk mund të krenohemi me të arriturat tona si shtet. Pa mohuar disa investime në infrastrukturën rrugore, ngritjen e pagave të punonjësve në disa institucione shtetërore, Kosova ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, papunësisë, nepotizmit, krimit të organizuar, si dhe në përpjekjet e integrimeve euroatlantike. Kultura, arsimi, shëndetësia, drejtësia janë segmentet ku shumë pak është investuar. Politikat ekonomike, sociale në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar. Si pasojë e neglizhencës politike paaftësisë drejtuese të vendit, sot kemi një shoqëri pothuaj të zhytur në një depresion kolektiv dhe të pashpresë.

Njomëza Gutaj, ekonomiste

Pritjet e mia para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 ishin se do të ketë stabilizim institucional dhe krijim të rrethanave ku qytetarët mund ta shfrytëzojnë potencialin e tyre dhe ta krijojnë një standard të jetës të pranueshëm. Realiteti në 2017 ndërkaq tregon një pamje tjetër: Korrupsioni, deri në nivelet më të ulëta institucionale e ka kapur Kosovën ngjashëm me një tumor. Për tu shëruar vendi dhe për tu mundësuar zhvillimi pozitiv duhet të eliminohet ky tumor. Kjo është sot shpresa ime për vitet e ardhshme.

Osman Sadiku, ekspert i migracionit, politikan

Nuk kam pritur se do të jetë lehtë. Megjithatë një rënie të tillë morale nuk e kam pritur. Problemin kryesor e shoh te rrëmbimi i pushtetit me dhunë në emër të “çlirimtarëve”.
Realiteti është larg prej të pritshmes dhe të mundshmes. Ëndrra e pavarësisë jeton. Ajo në asnjë rrethanë nuk guxon të vihet në pyetje. Edhe për të dështuar s’mund të themi. Është shumë më mirë se robëria.

Mërgim Balaj, shofer autobusi

Pritjet që kam pasur para shpalljes së pavarësisë kanë qenë: Krijimi i themeleve të shteti ligjor me institucione të besueshme për qytetarët si dhe i një performance serioze dhe të përgjegjshme të klasës politike kundrejt qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Ndërsa ajo që po shohim, sot, 9 vjet më vonë është: Ka mungesë stabiliteti politik, ligji nuk funksionon, në të gjitha fushat siguria është poroze. Mungojnë investues të huaj dhe nga diaspora. Si rrjedhojë kemi ngecje të zhvillimit ekonomik. Arritjet janë fare të pakëta.