Integrimi

900 mijë të huaj plotësojnë kushtet për pasaportë zvicerane

Rreziku që shoqëria zvicerane të rrëshqasë në "shoqëri dyklasëshe" me futjen në ligj të dëbimit të të huajve kriminelë dhe shfrytëzimi i rastit nga të huajt për t`u natyralizuar, ishin në fokus të tryezës së organizuar nga shoqata "Parandalo", në Cyrih

Hedhja poshtë që në shkurt të këtij viti iu bë iniciativës për zbatimin e dëbimit (e sponsoruar nga SVP) përbën një hap pozitiv kundër dëbimit arbitrar të të huajve që kërkohej nga iniciativa në fjalë. Por edhe me këtë refuzim, dëbimi i të huajve për delikte nga më të voglat nuk hiqet nga rendi i ditës. Qeveria Federale tashmë ka miratuar rregullativën ligjore për dëbimin e të huajve me dosje kriminale, të bazuar në iniciativën paraprake të SVP-së “mbi dëbimin e të huajve kriminelë” (të votuar nga populli në vitin 2012). Në këtë mënyrë, nga 1 tetori i vitit në të cilin jemi, brenda ligjit penal të Zvicrës ka hyrë përmbajtja mjaft restriktive e iniciativës së përmendur.

Me këtë veprim, në Zvicër “përfundimisht bëhet realitet drejtësia dyklasëshe”, ka konstatuar Osman Osmani, sekretar për Migracion në Sindikatën Unia, duke folur në tryezën e shoqatës “Parandalo” të mbajtur të dielën në Cyrih.

Në këtë debat, krahas Osmanit, një ligjëratë e ka mbajtur edhe ish kryetari shumëvjeçar i sindikatës Unia, Vasko Pedrina, ndërsa moderimin e ka bërë aktivistja dhe punëtorja sociale, Drita Ibrahimi-Shabani.

Në fjalën e tij, Osmani ka bërë numrimin e delikteve të cilat nëse kryhen nga të huajt, mund të çojnë në dëbimin e tyre. Vetë fakti se ata mund të dëbohen edhe për veprime të lehta kundërligjore, është një argument i ekzistimit të drejtësisë me dy klasa, ka thënë ai.

  • Të huajt mund të dëbohen nëse…

Por cilat delikte çojnë në dëbim të të huajve nga Zvicra? Krahas krimeve të rënda si vrasja, lëndimet e rënda trupore, format e rënda të vjedhjes etj. shkaktare për dëbim mund të jenë edhe deliktet e lehta si martesa e detyruar (ose me aranzhim), pastaj mashtrimi i thjeshtë në fushën e sigurimeve shoqërore, mashtrimi tatimor, marrja e paligjshme e përfitimeve nga fusha e sigurimeve shoqërore apo nga ndihmat sociale etj. ka thënë më tutje Osmani. Këtu hyjnë edhe shkeljet e Ligjit për të huajt si ndihma që i jepet dikujt për hyrje ilegale në Zvicër etj. Por, me ndryshimin më të ri të ligjit që ka hyrë në fuqi më 1 tetor, ndjekja për një nga veprat penale të përmendura nuk nënkupton domosdoshmërisht dëbimin nga Zvicra. Në çdo rast, për t`u plotësuar kushtet për dëbim, duhet të ekzistojë një dënim i plotfuqishëm ligjor dhe duhet që rasti të mos hyjë në kategorinë e “rasteve të rënda”.

Në kontekstin e kësaj politike të ashpërsuar, ndaj të huajve, shtetasit e Kosovës janë më të prekur se të huajt tjerë edhe nga një aspekt: ata, me rastin e humbjes së vendbanimit në Zvicër dhe në mungesë të Marrëveshjes ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, me kthimin në vendin amë humbin edhe të drejtën për përfitime nga sigurimet shoqërore, gjegjësisht nga pensioni i pleqërisë e trashëgimtarëve dhe ai i invaliditetit”, ka thënë veç tjerash Osman Osmani në ligjëratë.

  • Pedrina: Shfrytëzoni mundësinë për natyralizim deri më 31 dhjetor 2017!

Ndërsa Vasko Pedrina në ligjëratën e tij është fokusuar në natyralizimin e të huajve, gjegjësisht në ofensivën e sindikatës Unia për sensibilizimin e të huajve që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Ajo konsiston në shfrytëzimin e mundësisë së natyralizimit deri në fund të vitit 2017, sepse nga 1 janari i vitit 2018 hyn në fuqi Ligji i ri, i ashpërsuar. Me ligjin e ri, siç dihet, kusht për natyralizim është pasja e lejes së përhershme të qëndrimit (Viza C), që domethënë nga kjo e drejtë përjashtohen plotësisht të huajt me vizë B ose F.

Po u llogaritën të gjithë ata që parimisht kanë të drejtë të kërkojnë natyralizimin, ky numër del rreth 900 mijë, ka thënë më tutje Pedrina. Prandaj, ai ka apeluar që sa më shumë të huaj të përfitojnë nga kjo mundësi.

Pedrina ka përmendur si shembull pozitiv në fushë të natyralizimit Kantonin dhe qytetin e Gjenevës. Gjeneva ka një politikë “krahëhapur” për natyralizimin e të huajve dhe si rezultat, atje kemi shkallën më të lartë, gjegjësisht 3 për qind të huaj në vit që e shfrytëzojnë këtë mundësi.

Autoritetet në Gjenevë periodikisht u drejtohen të huajve që kanë plotësuar kushtet formale, duke u apeluar që të natyralizohen. Ndërsa në kantonet gjermane, gjendja është e kundërt, rezistenca kundër këtij procesi është më e madhe, ka thënë veç tjerash Pedrina. Ai ka porositur që në votimin e shkurtit 2017 të votohet iniciativa për natyralizimin e lehtësuar të të huajve të brezit të tretë. Por Pedrina ka theksuar me këtë rast se edhe me këtë iniciativë, natyralizimi mbetet i vështirë në krahasim me shumicën e vendeve perëndimore. Atje gjenerata e tretë natyralizohet me automatizëm.

Pas ligjëratave, të pranishmit u kanë bërë pyetje dy ligjëruesve dhe janë konsultuar me ta lidhur me dëbimin e të huajve dhe me natyralizimim.

(Autori i fotografive: Beqir Miftari)