Sport

A do të luajë Shaqa “kasatchok” në Rusi?!

Janë përhapur thashethemet se së shpejti është i mundshëm një transfer i super talentit shqiptar Xherdan Shaqirit për në ekipin e Zenitit nga St. Petersburgu. Por, kjo nuk e befason më zëvendës kryetarin e FC Basel, Bernhard Heusler, pasi shpeshëherë është përfolur mbi një transfer të mundshëm të Shaqës. Edhe pse emri i shqiptarit është shënuar në shumë lista të klubeve të famshëm siç janë Bayern, Dortmund, Juve apo ManU, ende nuk dihet se ku do të “aterrojë” sulmuesi i talentuar.

Por, sipas të dhënave nga e përditshmja “Blick”, edhe pse ai me FC Baselin ka një kontratë deri në vitin 2014, ekipi nga St. Petersburgu me çdo kusht dëshiron ta ketë Shaqën në radhët e veta. Ekipi rus tashmë në disa vende të ndryshëm është interesuar dhe e ka vëzhguar ate. Për herë të fundit një gjë e tillë kishte ndodhur në ndeshjen derbi midis FC Basel dhe FC Zurich dhe supozohet se janë zhvilluar edhe bisedimet fillestare.

Në një intervistë të fundit për “Blicj”, 19-vjeçari shqiptar e kishte quajtur ekipin e Zenitit si “klub të përsosur”, kështu që trajneri i Zenitit mund të shpresojë në blerjen e tij. Vallë a do të kalojë Shaqa në kampionatin rus? Planet e tij duken ndryshe, por kur rusët ta realizojnë transferin, atëherë do të jetë vështirë të thuhet “Njet (jo – rushisht))”, sepse te Zeniti, të hollat nuk kanë rëndësi të madhe. Sponzor i ekipit që gjatë vitit 2008 e fitoi kupën e Ligës evropiane në futboll, është gjiganti rus i gazit, por edhe  kryeministri Wladimir Putin, si tifoz i flaktë i ekipit. Zeniti mund ta blejë Shaqën pa një therrë në këmbë, pasi ai ka një fond prej mbi 200 milionë frangash.

Por, Heusler ende nuk brengoset për një transfer të mundshëm të Shaqës. “Nuk ka ende kërkesa zyrtare nga Rusia për Shaqirin. Gjendemi në mesin e kampionatit dhe nuk mund të merremi me lloj-lloj thashetheme”, ka deklaruar Heusler.