Feja

A është religjioziteti i shqiptarëve vetëm çështje “trendi”?

Fisnik Maxhuni, regjisor: "Duhet dalluar praktikat kulturore nga ato fundamentale të fesë. Shqiptarët dhe kosovarët, shumica, e respektojnë praktikën fetare kulturore, disa parime që nuk duhet tejkaluar. Është e vështirë për t'u thënë, por mendoj se është një lloj "mode", ku vullneti për t'u bërë pjesë e një komuniteti religjioz është i rëndësishëm"

Fisnik Maxhuni është një regjisor i ri filmi, me prejardhje shqiptare nga Kosova, me qëndrim në Zvicër. Së fundi ai ka bërë regjinë e filmit “Appels Croisés” (Thirrje të kryqëzuar” që bën fjalë për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe lidhjet e tij me religjionin. Televizioni zviceran në gjuhën frënge (RTS) ka realizuar një intervistë me autorin. Në vazhdim albinfo.ch e transmeton këtë intervistë.

Jeni regjisor me banim në Lausanne dhe me origjinë shqiptare. Jeni duke e bërë një dokumentar kushtuar komunitetit shqiptar. Është filmi i quajtur “Appels Croisés” (Thirrje të kryqëzuara) që do të prezantohet në Locarno, në festivalin e ardhshëm. Pse keni vendosur të zgjidhni komunitetin shqiptar si temë? A është sepse e keni pasur ndjenjën e një moskuptimi reciprok, ndoshta?

Fisnik Maxhuni: Po, ajo është saktësisht dhe mendoj që e kisha një moskuptim ndaj vetes time si kosovar në Zvicër, të rrënjëve të mia, e për këtë arsye kam vendosur të punoj me një regjistor tjetër. Është zviceran, Benoît Goncerut, me të cilin e kemi pasur mundësinë që të studiojmë këtë çështje në mënyrë që të kuptojmë se cili është pozicioni i këtyre 300.000 personave në Zvicër, duke pasur parasysh se gjuha shqipe është e katërta më e folur në Zvicër, megjithëse natyrisht nuk është gjuhë zyrtare, përcjell albinfo.ch. Mendoj se ka qenë e domosdoshme që t’i pyes ata në lidhje me identitetin e tyre. A janë zviceranë? A janë shqiptarë? Çfarë janë, në të vërtetë? Dhe, kjo është pikënisja e filmit.

Besoj se këtë pyetje ia bëni edhe vetes?

Fisnik Maxhuni: Nuk ia kam bërë vetes deri tani, tash është koha e kësaj pyetjeje, kur jam 27-vjeçar.

Jeni ende i ri, por është momenti i duhur. Çfarë keni mësuar duke xhiruar komunitetin shqiptar? Me siguri, shumë gjëra kanë dalë në pah?

Fisnik Maxhuni: Mendoj se gjëja më e rëndësishme që e kam mësuar është që nuk është e lehtë të bëhesh zviceran. Pyetja bazike për protagonistët e filmit ishte: Çfarë do të thotë të jesh zviceran? Sepse mendoja që duke e bërë këtë pyetje, do të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh shqiptar në Zvicër. Duke i pyetur se çfarë do të thotë të jesh zviceran, e çoja vështirësinë në një nivel tjetër. Shumë njerëz më thoshin: kam familje në Gjermani, në Francë ose në Amerikë dhe për ata është lehtë të bëhen gjermanë, francezë ose amerikanë, përkundër Zvicrës, ku standardi nuk është edhe aq i përkufizuar. Nëse është, është në mënyrë rajonale, por jo në shkallë të shtetit.

Sepse të bëhesh zviceran nuk është vetëm plotësim i disa letrave, por janë edhe gjëra të tjera. Çfarë ka aq të vështirë? A mund të na tregoni?

Fisnik Maxhuni: Mendoj që ka të bëjë me një numër vlerash që duhen respektuar, por më duhet të them se këto vlera zbatohet në nivel rajonal dhe jo në nivelin e gjithë vendit. Kur them rajonal, mendoj për kantone dhe për gjuhën, sepse kemi xhiruar edhe në Zürich, edhe në Valais dhe kemi takuar njerëz, të cilët identifikohen më shumë me kantonin se sa me Zvicrën.

Nuk është njëjtë të bëhesh zviceran në kantonin e Vaud-it dhe në atë të Wallis-it? Dhe, këtë e keni ndjerë shumë brenda këtij komuniteti?

Fisnik Maxhuni: E kam ndjerë në mënyrë shumë të fortë. Për vetën time, është pak më ndryshe, sepse edhe pse jam nga Neuchatel-i, nuk e konsideroj veten nga Neuchatel-i fillimisht, por si zviceran. Ekzistojnë shembuj shumë të diversifikuar që do të gjenden në dokumentar, si për shembull, një person më thotë: “Të jesh zviceran është të konsumosh fondue”, një tjetër më thotë: “Jo, të jesh zviceran është t’i paguash tatimet” dhe e pyes veten: “Cili është seti i vlerave që duhet t’i respektojmë”?

Duhet të bëhet një miks i të gjithë këtyre kantoneve. A mund të na tregoni përkufizimin e zviceranit në nivel federal ose të konfederatës? Apo nuk është e mundur të përkufizohet?

Fisnik Maxhuni: Unë nuk mendoj se është e mundur, sepse është një gjë e cila ndryshon nga viti në vit. Të gjithë më thonë: “Jemi në qendër të vëmendjes, jemi 300.000 dhe duhet ta përkufizojmë veten si zviceran, sepse ashtu na kërkohet, transmeton albinfo.ch. 20 vjet nga tani, jam apo nuk jam zviceran, nuk ka rëndësi, sepse nuk do të jem më në qendër të vëmendjes, sepse do të vijë një komunitet tjetër, i cili do të jetë në qendër të vëmendjes, siç kanë qenë italianët, spanjollët dhe portugezët. Më shumë është çështje demografike sesa kulturore ose një çështje vlerash.

Nga 300.000 shqiptarë në Zvicër, shumica nuk e praktikojnë. A kemi tendencë ta mbivlerësojmë çështjen e Islamit?

Fisnik Maxhuni: Unë do të thosha se po. Isha shumë i habitur gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së laicitetit, sepse për mua ishte thjesht ngjarje anekdotike. Nuk do të thosha se është ngjarje, aspak. Për mua ishte e padobishme të nënshkruhet një dokument, i cili thotë se ligjet e shtetit duhet të zbatohen para rregullave fetare.

A e përjetojnë të gjithë ata që i keni takuar në këtë mënyrë?

Fisnik Maxhuni: E kam diskutuar shumë me familjen time dhe me disa miq nga ky komunitet dhe kjo vlen edhe për mua: nuk isha interesuar kurrë më herët në lidhje me këtë. Për mua, kjo nuk ishte çështja/pyetja.

Pse i është bërë pyetja këtij komuniteti, pasi që nuk është kurrfarë pyetje për ta? Cili është qëllimi?

Fisnik Maxhuni: Është pak e vështirë të thuhet. Jam përqendruar te disa personazhe të dokumentarit, duke i pyetur se a ka impakt feja për ju në përditshmërinë tuaj në Zvicër? Dhe, përgjigjja ishte jo. Prandaj, pse ajo marrëveshje? Përgjigjja ishte që një grup njerëzish kishin për qëllim të përmendet komuniteti për të mirë, sikur të ishte ai vullneti që “të pastrojmë më bardh se vetë e bardha”.

Jeni 27-vjeçar, a përjetohet feja nga të gjitha gjeneratat në të njëjtën mënyrë? A është më prezente në gjeneratat e vjetra?

Fisnik Maxhuni: Është interesante, sepse e kam vërejtur pikërisht të kundërtën. Ka protagonistë të dokumentarit tim për të cilët feja nuk luan kurrfarë roli. Për 16 a 17-vjeçarët feja është një lloj ideali që duhet respektuar. Shumica kanë lindur në Zvicër dhe duke shkuar në shkollë, duke shikuar televizorin, etj., kanë thënë: “Mendoj se Islami ka një rëndësi të veçantë për mua në jetën time, por nuk di si ta përkufizoj, nuk e di saktë se si do të përputhet me jetën time në të ardhmen, me profesionin tim, me studimet e mia”.  Është te më të rinjtë që vërehet.
Nga ju ka ardhur ideja e fesë, pasi që për gjeneratat e vjetra nuk është kjo çështje me rëndësi?

Fisnik Maxhuni: Mendoj se duhet dalluar praktikat kulturore nga ato fundamentale të fesë. Shqiptarët dhe kosovarët, shumica, e respektojnë praktikën fetare kulturore, disa parime që nuk duhet tejkaluar, transmeton albinfo.ch. Është e vështirë për t’u thënë, por mendoj se është një lloj “mode”, ku vullneti për t’u bërë pjesë e një komuniteti religjioz është i rëndësishëm.

A mund të vijë kjo në kundërshtim me integrimin në Zvicër?

Fisnik Maxhuni: Nuk mendoj, sepse për shumicën është imitim dhe vullnet për t’u bërë pjesë e diçkafit. Pas një kohe, ata ndërrojnë mendje për këto arsye. Përkufizimi i tyre në atë moshë nuk është i përfunduar. Është ndjenjë që unë e kam, por me të vërtetë besoj se është çështje “mode” ose trendi.