Zhvillim

A ka tolerancë ndërfetare në Zvicër?

„Toleranca ndërfetare“, ishte në fokus të një debati të organizuar të dielën nga shoqata “Parandalo”, para një auditoriumi shqiptaro-zviceran në Cyrih.

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch


Priftëresha Verena Mühlethaler nga Kisha e hapur St. Jakob është përballur në këtë debat me imamin Fahredin Bunjaku nga xhamia „Shtëpia e Paqes“ në Cyrih.

Ndërmjet tyre gazetarja Deborah Sutter nga SRF ka moderuar debatin e një imami me origjinë kosovare dhe një priftëreshe zvicerane, që kanë sjellë para mysafirëve dallimet dhe ngjashmëritë në fetë e tyre që pedikojnë.

E fillojnë me pozitën e gruas në raport me religjionin.

Priftëresha Mühlethale sjell shembuj kur gratë privohen nga të drejtat e tyre. Përmend rastin në Arabinë Saudite, ku grave iu ndalohet ngasja e automjetit.

Po ashtu Mühlethale ka folur edhe për një rast kur i është ndaluar nga burri mësimi i gjuhës gjermane një gruaje në Zvicër, duke menduar se kështu thotë feja islame.

Mendime patriarkale kanë qenë të pranishme, sipas prifëreshës, edhe me Kishën Katolike, por në Kishën e Reformiste barazia mes grave dhe burrave është më e mirë, duke marrë si përparësi të drejtën e grave për të qenë priftëresha.

Mühlethale thotë se barazia në mes të gjinive është shumë e rëndësishme në Zvicër dhe se duhet, sipas saj, të bien poshtë të gjitha ideologjitë kur është fjala për të drejtat e gruas.

Imami Bunjaku, nga ana tjetër, duke u bazuar në Kuran dhe në hadithet e Pejgamberit Muhammed, tregon për pozitën që ka gruaja në Islam.

Ai mohon se gruaja nuk duhet të jetë e barabartë me burrin, ngase këtë e thotë feja, përkundrazi thotë të ketë kaptina të veçanta për pozitën e gruas në Kuran.

«Në Islam besojmë se me krijimin e botës, duke sjellë Ademin dhe Haven, nënkuptojmë se pas burrit vjen edhe gruaja ose që të dytë janë të barabartë. Çdo të drejtë që e ka burri në islam, duhet ta gëzojë edhe gruaja», thotë Bunjaku, duke thënë se për rastet që flitetet për diskriminin të grave më shumë u takojnë traditave të ndonjë vendit të caktuar apo individi, e që fatkeqësisht i adresohet islamit.

Imami me origjinë nga Gjilani thotë se shpesh gruaja konsiderohet e diskrimunuar për shkak të mbulesës, por që, sipas tij, mbulesa nuk i imponohet nga burri, por është rregull dhe ligj nga Zoti.

Priftëresha tha se gruaja në besimin e krishterë ka të drejtë të jetë priftereshë, ndërsa te besimi islam ka të drejtë të jetë vetëm predikuese për gra, por jo të dalë në adhurim bashkë me burrin.

E pashmnagshme ka qenë në këtë debat të tejkalohet rasti i dy nxënëseve myslimane nga Siria që kishin hequr dorë nga rregulli i htrëngimit të duarve me mësuesen e tyre në Zvicër, e që kishte tërhequr vëmendjen e opinionit.

E kjo çështje i është adresuar imamit Bunjaku. Ai thotë se duarshtrëngimi është keqinterpetuar dhe se një praktikë e tillë nuk është e ndaluar në islam, ngase ka tolerancë edhe me përshëndetjen me duar, varësisht prej qëllimit të caktuar.

Bunjaku thotë se shpesh ishte në siklet kur në media raportohet për një imazh të keq për Islamin.

«Mua më vjen keq kur raportohet në media për një islam jo të drejtë, një islam radikal, se si akuzohen kolegët e mi të pafajshëm dhe, për mendimin tim, flitet për një islam në masë të krijojnë frikë, islamofobi», deklaron Bunjaku, duke theksuar se ai bashkë me kolegët e tij po predikojnë një islam të moderuar dhe tolerant në Zvicër.

Imami, i cili punon si pullazxhi në Zvicër, thotë të kenë komunikime të shpeshta me autoritetet e vendit, me përfaqëuesit e kishave dhe se shpesh organizojnë dyer të hapura për të gjithë të interesuarit.

«Ne jemi të njëjtë si këtu si në xhami. Mos mendoni se ne jemi të tjerë pse shkojmë në xhami», thekson Bunjaku, duke potencuar se është kundër radikalizmit.

Priftëresha tha se në të kaluarën edhe mes kishave kanë ekzistuar keqkuptime e shqetësime të ndryshme, duke mo i përkrahur martesat mes besimeve të ndryshme, por tani, sipas saj, është krejt ndryshe.

«Ne jemi për paqen, dëshirojmë të ketë komunikim mes besimeve, të mos ndikohemi nga mediat. Ne duhet të bashkëjetojmë dhe jemi të hapur për një islam të paqes», tha Mühlethale, duke theksuar nevojën që të kete debate të tilla që të shlyhet imazhi i keq.

“Kisha ku unë shrbej ështe e hapur për çfarëdo aktiviteti që i shërben të mirave njerëzore, qofshin ato integruese apo fetare”, thotë priftëresha në debat.

Ajo tha se në funksion të komunikimit ndërfetar organizojnë një herë në vit takime të përbashkëta me përfaqësuesit e religjioneve më të mëdha të përfaqësuara në Zvicër.

Imami Bunjaku thotë se nuk e kanë problem të marrin pjesë në manifestime të përbashkëta, duke përmendur bekimin e tunelit Gothard në Zvicër, por ka thënë të jetë e pamundur të marrin pjesë në adhurimin e përbashkët që i bëhet Zotit për shkak të specifikave që kanë lutjet në islam dhe në fetë e tjera.

“Një lutjet e përbashkët mund të bëhet sikur në bekimin e tunelit në Gothard”, tha Bunjaku, duke mohuar se nuk mund të jetojmë bashkë nëse nuk e bëjmë një lutje të përbashkët.

Me këtë pajtohet edhe priftëresha zvicerane se me rëndësi është respekti dhe toleranca ndërfetare se sa një adhurim i përbashkët.

Ajo tha se nganjëherë edhe interpretimet e Kuranit e të Bibles nuk bëhen si duhet në raport me fetë e tjera dhe se, sipas saj, duhet të ketë interpretim kritik të tyre për të evituar përshtatjen e gabueshme të tyre.

Bunjaku pajtohet se shpesh interpretohet gabimisht Kurani dhe se islami duhet përshtatur me kohën dhe me vendin ku jetojmë.

Imami thotë se të gjithë imamët shqiptarë në Unionin e Imamëve kanë ardhur legalisht në Zvicër dhe predikojnë një islam që fton në bashkëjetesë me të tjerët pavarësisht besimit, ngjyrës apo etnisë.

Priftëresha zvicerane ka shrehur rezerva për imamët që shkollohen në Arabinë Saudite që, sipas saj, mund eksportojnë vahabizmin në Zvicër dhe mos të jenë tolerantë, e që për imamin nga Gjilani nuk është kusht që ata mos të jenë tolerantë, ngase organizohen nëpërmjet Unionin të Imamëve Shqiptarë dhe kanë një program të përbashkët: tolerancën dhe bashkëjetesën.

Ai ka pranuar se po bëhet pak në komunikimin me shoqërinë vendëse dhe për këtë duhet më shumë angazhim për të treguar se predikojmë islam të drejtë për të evituar paragjykimet.

Në fund imami Fahredin Bunjaku edhe priftëresha Mühlethale kanë shprehur bindjet e tyre të ngjashme  dhe kanë shprehur gatishmëri që të bashkëpunojnë në të ardhmën për t’i tejkaluar dallimet ndërfetare.

Këto debate janë të mira, tha priftëresha, po ashtu theksoi se është e rendësishme të punohet më shumë për integrimin e gruas në shoqërinë zvicerane dhe se toleranca nganjëherë, sipas saj, është e kufizuar.

Të pranishmit kanë shprehur interesim se a ekzistojnë projekte të përbashkëta humanitare ndërmjet kishave dhe xhamive, po ashtu edhe për atë pse nuk organizohen debate edhe për myslimanët e tjerë, e jo vetëm për shqiptarët.