Sport

Abrashi, i gatshëm për aventurën e re

“Javën e ardhshme do të kthehem edhe unë në stërvitje. Nuk kam humbur gjë nga përgatitja, pasi me kombëtaren kishim çdo ditë nga dy seanca stërvitore”, deklaroi Abrashi

 

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi po pret me padurim që të lërë pas dëmtimin qe i ka ndërprerë në mes përgatitjet për sezonin e ri me Freiburgun. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka qëndruar për disa ditë larg fushave të lojës, duke ndjekur shokët e tij të skuadrës që po përgatiten për edicionin e ri në Bundesligë, shkruan albinfo.ch.

“Javën e ardhshme do të kthehem edhe unë në stërvitje”, ka zbuluar mesfushori i Kombëtares shqiptare në një prononcim për “Kicker” nga grumbullimi i klubit. Ai është i bindur se nuk do të vuajë për të arritur ritmin e pjesës tjetër të skuadrës, pasi ndjehet fizikisht mirë falë pjesëmarrjes në “Euro 2016”.

“Nuk kam humbur gjë nga përgatitja, pasi me kombëtaren kishim çdo ditë nga dy seanca stërvitore”, tha ai, duke kujtuar njëkohësisht se kishte luajtur në të tre ndeshjet e Shqipërisë në turne.

Nga Franca ai është kthyer me një kujtim shumë të bukur, që ka lidhje me suksesin e Portugalisë në finale. “Sigurisht, Evropiani ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Pastaj kujtoni që ndeshja e fundit zyrtare që Portugalia ka humbur ishte kundër nesh”, ka treguar ai duke buzëqeshur.

Por tashmë Evropiani ka mbaruar dhe Abrashi duhet të përqendrohet te klubi i tij, ku ka më shumë konkurrencë pasi në mesfushë janë shtuar disa lojtarë të rinj si Mefert dhe Haberer. “Gjithçka është e hapur për sa i përket vendit të titullarit. Por unë e di se çfarë duhet të bëj për të siguruar një vend në fushë. Pastaj do të jetë në dorën e trajnerit të vendosë”, tha futbollisti shqiptar, i cili në sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët më të spikatur në Bundesligën 2.