Integrimi

ABSM në Bazel, një adresë e respektuar nga të huajt dhe vendësit

ABSM-ja u bë gjithnjë e më shumë, nga viti në vit, një qendër humanitare dhe shkollimi, shprese dhe mundësishë për mijëra njerëz nga vende, gjuhë, kultura, mentalitete dhe tradita të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, të përfshirë nga luftërat

 

Qendra për Arsimim dhe Këshillim (ABSM), me seli në Bazel të Zvicrës dhe me angazhim dhe veprimtari edhe në Kosovë, kryesisht në Komunën e Gjakovës, zhvilloi këto ditë ceremoninë tradicionale të përfundimit të kurseve, projekteve dhe programeve, për vitin 2015-2016 si dhe të dorëzimit të çertifikatave përkatëse.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe drejtues dhe anëtarë të Bordit; përfaqësues nga institucione kantonale dhe vendore në Basel, nga kompani dhe OJQ partnere, etj.

Në emër të Bordit të ABSM-së të gjithë të pranishmit i përshendeti me një fjalim anëtari i kryesisë së Bordit, z. Nazmi Jakurti. Në fillim z. Jakurti e ktheu kujtesën 19 vite më parë, kur u krijua ABS-ja, falë inisiativës, përkushtimit dhe përpjekjeve këmbëngulëse të një grupi të gjerë të miqve dhe mbështetësve, të kryesuar nga zoti Skender Nikoliqi, etj.

ABSM-ja u bë gjithnjë e më shumë, nga viti në vit, një qendër humanitare dhe shkollimi, shprese dhe mundësishë për mijëra njerëz nga vende, gjuhë, kultura, mentalitete dhe tradita të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, të përfshirë nga luftërat civile dhe me shtete fqinj.

Në vijim, folësi, u shpreh se drejtuesit dhe anëtarët e Bordit të ABSM-së, si dhe të gjithë specialistët dhe mësimdhënësit e angazhuar prej saj, kanë të drejtë të ndjehen krenarë dhe të lumtur. Ata i kanë ndihmuar mijëra njerëz me kurset e organizuara për t’u bërë të aftë në punë dhe në jetë, për t’u integruar sa më shpejt dhe më shumë në Zvicër dhe në vende të tjera, për një jetë në paqe, siguri, mirëqenie, dinjitet.

Tani mund të flasim shkurtimisht me gjuhën e shifrave dhe të fakteve. Kështu, për vitin arsimor 2015-2016, ndoqën kurset për gjuhën gjermane dhe integrimin 573 vetë nga 54 vende apo shtete të ndryshme të botës. Edhe këtë vit kursantët nga Kosova ishin më të shumtë, duke u radhitur në vendin e parë për pjesëmarrje. Çerdhen dhe kopshtin pranë ABSM e frekuentuan 121 fëmijë nga mosha 1 -7 vjec. Kursantët që përfunduan kurset, u nderuan me çertifikata, me nga një tufë me lule dhe me duartrokitje.

13 pjesëmarrës të kurseve u nderuan me çertifikatë edhe për pjesëmarrjen më të rregullt, nga 85-100 % të ditëve të zhvillimit të kurseve. Mes tyre janë edhe kursantët me origjinë nga trevat shqiptare, Liridona Veliu, Gent Osmani, Donjeta Krasniqi, Puntorie Ademi, Yllka Nushi, Astrit Kolgeci, Fexhrije Latifi, etj.

Rezultatet pozitive që u arritën në kurset e sezonit 2015-2016 evidentojnë edhe punën me përkushtim dhe cilësi nga udhëheqësit e kurseve, Dominique Carbernard, Arijanita Muça, Jan Eberhardt. Gerry Hubacher, Remco Fischer, etj.

Një përgëzim i veçantë u adresua për Igballe Salihun me origjinë nga Kosova, drejtuese e grupit të lojërave dhe të përkujdesjes për fëmijë. Në bazë të shkollimit të saj pranë ABSM-së ajo mori certifikatën zvicerane të aftësisë për fëmijët që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe u vlerësua për angazhimin, përkushtimin dhe dashurinë e sinqertë ndaj fëmijëve.

Sipas traditës tashmë 19 vjeçare, ambicjet dhe projektet e drejtuesve të ABSM-së dhe të të gjithë ekipit të angazhuar prej saj, janë edhe më të shumta.

Nga mesi i muajit gusht 2016 do të fillojnë kurset e reja, të gjuhës gjermane, Aspecta, Konkret, Takimi und “Deutsch Willkommen”, në nivelet gjuhësore A1 – B2.

Nga janari 2017, nën drejtimin e mësuesit të njohur të muzikës, Arsim Leka, do të zhvillohet kursi i ri për muzikën, i cili ndihmon edhe pasurimin e njohurive dhe të aftësive për gjuhën dhe kulturën gjermane. Ky kurs do të jetë 1 herë në javë, kryesisht për fëmijët e kopshteve dhe të klasave të para. Në të fëmijët mund të këndojnë dhe luajnë me instrumente të ndryshme.

Pas pushimeve verore, më 21 gusht 2016, në kompleksin sportiv Schützenmatte do të organizohet veprimtaria tradicionale “Sporti flet një gjuhë”, e shquar për program të larmishëm dhe për pjesëmarrje masive, edhe nga fushat e artit, sporteve, politikës, e tj.

Në vijim pjesëmarrësit ndoqën një program të zgjedhur muzikor, përgatitur nga profesori i muzikës Christian Cabernard dhe nxënës të klasës së tij. Në mbyllje të kësaj veprimtarie organizatorët dhe i ekipi ABSM kishte përgatitur një aperitiv të pasur.

Linku i portalit:

www.absm.ch