Sport

Admir Mehmedi, kreator i fitores për FC Zurichun

Golin e fitores 2 : 1 Mehmedi e shënoi në minutën e 59. Në radhët e vendësve nga minuta e 64 luajti edhe Adrian Nikçi

Në mes javë u zhvilluan ndeshjet e javës së 29 të super ligës në futboll. Në ndeshjen kryesore të javës në mes të FC Zurichut dhe FC Young Boys,  fitore shënoi ekipi vendës, edhe falë meritës së futbollistit shqiptar Admir Mehmedit i cili në këtë ndeshje u aktivizua nga fillimi i lojës e deri në minutën e 71 kur u zëvendësua.  Golin e fitores 2 : 1  Mehmedi e shënoi në minutën e 59.  Në radhët e vendësve nga minuta e 64 luajti edhe Adrian Nikçi.

Burim Kukeli i FC Luzernit edhe pse u paraqit gjatë tërë ndeshjes nuk arriti ta shpëtojë klubin e tij nga humbja si vendës ndaj FC Thunit 0 :1. Në këtë ndeshje Milaim Rama i Thunit, edhe pse ishte rezervë,  nuk u paraqit fare.

Në ndeshjen në mes të St.  Gallenit të Kristian Nushit dhe vendësve të FC Grasshoperit të Admir Abrashit dhe Endogan Adilit, fitore shënoi ekipi mysafir i Nushit me rezultat 1 : 3. Nushi luajti deri në minutën e 72 kurse për vendësit, Abrashi luajti nga minuta e 56 Adili nga minuta e 73.

Në ndeshjen FC Bellinzona-FC Sioni 2 : 2 nuk u aktivizua asnjë futbollist shqiptar.

Lideri i ligës FC Basel si mysafir nuk arriti më tepër se barazimin 2 : 2 në përballje me FC Neuchatelin.  Në këtë takim nga futbollistët shqiptarë vetëm Granit Xhaka u aktivizua nga minuta e 89.

Me këtë barazim, përparësia e FC Baselit ndaj të dytit FC Zurichut ngushtohet në vetëm një pikë. Baseli ka 59 e Zurichu 58. Lufta për titull të kampionit do të jetë interesante dhe deri në gjiron e fundit nuk do të dihet kampioni. Ndoshta takimi i tyre direkt i cili do të zhvillohet më 11 maj do ta përcaktojë edhe fituesin e titullit. Deri në fund kanë mbetur të zhvillohen edhe 7 ndeshje. (S.S)