Sport

Admir Mehmedi mund të shkojë te FC Basel

As FC Baseli nuk e ka të sigurt mbajtjen e Xherdan Shaqirit në radhët e veta

Dy skuadrat më të suksesshme të superligës zvicerane, FC Basel dhe FC Zürich, të cilat njihen edhe për rivalitetin e fortë që kanë mes vete, janë në telashe me sigurimin e titullit të kampionit për këtë vit. FC Basel i ik rivalit të tij nga Cyrihu për vetëm 1 pikë dhe sipas të gjitha gjasëve, deri më 25 maj, kur luhet ndeshja e fundit për këtë sezon, asgjë nuk do të jetë e sigurt për titullin.

Sikur të mos mjaftonte vetë rivaliteti, të dy skuadrat, siç shkruan blick.ch, kanë kokëçarjet e tyre edhe me lojtarët që spekulohet se do të braktisin skuadrat respektive. Kështu, sipas burimit në fjalë, lojtari i dalluar shqiptar i FC Zürich, sidomos për shënimin e golave, tetovari Admir Mehmedi ndodhet në listën e blerjeve të mëdha pikërisht të skuadrës rivale, FC Basel.

Madje, në tekst thuhet se shefat e Baselit janë në gjendje që për të të paguajnë 3 deri 5 milionë franga. Nga ana e FC Zürich-ut dhe vetë Mehmedit nuk ka asnjë konfirmim rreth kësaj. Por, siç spekulon blick.ch, skuadrës së Cyrihut i duhen urgjentisht të holla për të arnuar buxhetin e saj të dëmtuar…

Qetësi me lojtarët e vet nuk gjen dot as FC Basel. Pikërisht lojtari më i dalluar i vitit të fundit, gjilanasi Xherdan Shaqiri, përflitet nga të gjitha anët për transferin e tij të mundshëm në ndonjërën nga skuadrat e mëdha evropiane. Një transfer i tillë mund të ndodhë që në përmbyllje të sezonit.