Bota

Adoleshenti shpëton nga aksidenti i rëndë falë intuitës së babait

Një adoleshent australian ka arritur të mbijetojë pas një përplasje të rëndë me veturë, sepse babai i tij kishte marrë një vendim të pazakontë për ta gjetur.

Samuel Lethbridge, 17-vjeçar, kishte mbetur i bllokuar për 30 orë pasi vetura e tij doli prej autostradës në New South Wales të Australisë.

Familja e tij u bë merak dhe lajmëroi policinë kur djali nuk kishte arritur të shkonte në shtëpinë e shokut të tij, për ku ishte nisur.

Tony Lethbridge më pas kishte vendosur të paguante një helikopter, pasi iu kishte kujtuar një aksident i vjetër, transmeton Albinfo.ch.

“Fatkeqësisht ai kishte vdekur sepse askush s’e kishte gjetur për pesë ditë dhe nuk doja të më ndodhte me Samuelin. Andaj e porositëm një helikopter dhe e gjetëm për vetëm dhjetë minuta”, ka thënë ai për “Channel Seven”.

Ekipit emergjent i ishte dashur më shumë se një orë për të nxjerrë adoleshentin nga vetura e tij. Ai shpëtoi me disa lëndime të rënda, por mjekët thonë se “ai është me fat që është gjallë”.