Shkurt.ch

Aeroplani gjigant ushtarak sjell material për vizitën e Trumpit në Zvicër

Aeroplani ushtarak Boeing C-17, Globemaster III është i gjatë 53 metra, i gjerë 50 metra dhe zë deri në 77.5 tonelata material

Një aeroplan i madh i Forcave Ushtarake të SHBA-së ka aterruar sot në Aeroportin e Cyrihut (Kloten). Besohet se ai ka sjellë me vete materialet e nevojshme për vizitën e presidentit amerikan, Donald  Trump në Zvicër, ku pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit (WEF).

Bëhet fjalë për një fluturake gjigante transportuese të tipit Boeing C-17, Globemaster III. Anash shkruan “US Air Force”, shkruan 20minuten.ch.

Aeroplani është i gjatë 53 metra, ka gjerësinë e krahëve 50 metra dhe zë deri në 77.5 tonelata material, transmeton albinfo.ch. Materiali që do të shkarkohet nga fluturakja do të ngarkohet në tre kamionë.

Me këtë aeroplan dhe të tjerët si ky, konsiderohet se amerikanët në Zvicër sjellin veç tjerash edhe automjete të nevojshme për Trumpin dhe delegacionin. Mediet e këtushme kanë shkruar se madje edhe helikopterët kanë vend në “barkun” e një fluturakeje të tillë.

Ardhja e Trumpit në Zvicër ka ngjallur debat në opinionin e këtushëm. Ajo po ashtu ka mobilizuar më shumë se zakonisht edhe forcat ushtarake e policore që kujdesen për sigurinë e tij dhe të Forumit të Davosit kua ai do të marrë pjesë. Krahas forcave zvicerane, për sigurinë e presidentit amerikan do të kujdeset edhe personeli amerikan i sigurisë, një pjesë e të cilit tashmë ka ardhur në Zvicër.