Shqipëria

Air Albania është gati të fluturojë

Air Albania do të fluturojë si fillim në Stamboll, Milano, Romë e Londër e më pas do të shtrihet me gjerë në Evropë

Fluturimi i parë i Air Albania është tanimë çështje javësh, njofton Klan Kosova.

Avioni që do të kryejë fluturimin e parë është një Airbus 319 që është pagëzuar me emrin Lasgushi.

Air Albania do të fluturojë si fillim në Stamboll, Milano, Romë e Londër e më pas do të shtrihet me gjerë në Evropë si edhe do të nisë fluturimet direkte për në Nju Jork në vjeshtën e ardhshme, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vitin e kaluar i kërkoi presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për ndihmën e tij në krijimin e një transportuesi kombëtar shqiptar.

Turkish Airlines ka thënë disa herë se është e interesuar për projektin. Rama ka premtuar shpesh herë për të krijuar linjën ajrore dhe për të ndërtuar një aeroport në Vlorë.

Sipas vendimit të qeverisë, Albcontrol dhe MDN Investment do të mbajnë pjesën kontrolluese në kompaninë e re të së paku 51%  ndërsa Turkish Airlines do të marrë pjesën tjetër.

Tregu në Shqipëri është rritur gjatë tre dekadave të fundit, kryesisht për shkak të kërkesës së popullsisë së madhe të emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre. Numri i pasagjerëve që fluturojnë për në dhe nga Shqipëria pothuajse është dyfishuar gjatë dekadës së kaluar. Në vitin 2016, 22,000 fluturime dhe 2,2 milionë pasagjerë kaluan nëpër aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit.