Sport

Ajeti titullar te Torino

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti është transferuar në Torino këtë afat kalimtar, duke nënshkruar kontratë 3-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy tjera

Arlind Ajeti e nisi si titullar sezonin në radhët e Torinos edhe pse bëhet fjalë thjesht për një ndeshje miqësore. Mbrojtësi shqiptar që u transferua vetëm pak javë më parë në radhët e skuadrës “Granata”, ka besimin e trajnerit Sinisa Mihajlovic, i cili tashmë e shikon si pjesë të formacionit të parë edhe pse deri në fillim të sezonit mund të ndryshojnë shumë gjëra, shkruan albinfo.ch.

Lojtari kuqezi e nisi miqësoren kundër Casateserogoredos që nga minuta e parë në një formacion me 4 mbrojtës ku ai mbuloi pozicionin qendror.

Paraqitja e 23-vjeçarit u veçua si mjaft pozitive, pasi Ajeti ashtu si edhe shokët e tjerë të repartit të mbrojtjes mbyllën çdo hapësirë duke i ofruar siguri trajnerit serb.

Ashtu si e gjithë pjesa tjetër e skuadrës, në pjesën e dytë Ajeti u zëvendësua duke i lënë vendin zgjedhjeve të tjera të Mihajloviq i cili kërkon të zgjidhë sa më shpejt dilemat në qendër të mbrojtjes. Takimi i parë miqësor i fazës përgatitore përfundoi me rezultatin 11:0 në favor të ekipit torinez.