Lajme

Aksident në Itali: Në autobusin hungarez humbën jetën 16 nxënës

Autobusi ka pasur nxënës hungarezë të moshës mes 14 dhe 18 vjet, të cilët ishin duke u kthyer nga një pushim në Francë

Të paktën 16 nxënës humbën jetën dhe 26 u lënduan kur një autobus me nxënës me targa hungareze goditi një shtyllë në një autostradë në veri të Italisë, konfirmoi të shtunën mbrëma policia italiane, përcjell albinfo.ch.

Pasagjerët e lënduar u dërguan në spital në Verona. 39 persona i mbijetuan aksidentit, edhe pse disa prej tyre mbeten të plagosur rëndë.

“Një pasagjer është në gjendje kome dhe në gjendje kritike”, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Sijarto, në një konferencë për shtyp në Budapest.

Ai theksoi se shoferi i autobusit humbi kontrollin e timonit dhe autoritetet hetuese nuk kishin gjetur asnjë gjurmë të ndalur.

Sijarto tha se ka informacione se në autobus ishin 54 pasagjerë, duke përfshirë dy të rritur dhe dy shoferët e huaj, por besohet se ka pasur më shumë pasagjerë.

Autobusi ka pasur nxënës hungarezë të moshës mes 14 dhe 18 vjet, duke u kthyer nga një pushim në Francë.

Shefi i policisë italiane, Girolamo Lakvaniti, theksoi se në incident nuk është përfshirë asnjë automjet tjetër dhe ende nuk dihet pse autobusi u përplas në shtyllë.

Një shofer kamioni slloven, i cili po ngiste prapa autobusit, i tha medias italiane se ai vuri re një problem me një nga gomat e autobusit dhe u përpoq për të paralajmëruar shoferin, por ai nuk ka reaguar shpejt.