Kosova

Aksidentohen dy ushtarë zviceranë të KFOR-it

Dy pjesëtarët e ushtrisë ndodheshin në një makinë ushtarake të KFOR-it, deri sa po e përcillnin një konvoj ushtarak për furnizim të Swisscoy-t

Dy pjesëtarë të ushtrisë zvicerane të stacionuar në kuadër të KFOR-it kanë pësuar një aksident, duke u ndeshur me një makinë civile. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Hanit të Elezit, në kufirin me Maqedoninë, shkruan 20minuten.ch duke iu referuar burimeve të Ushtrisë së Zvicrës.

Autoritetet e drejtësisë në kuadër të forcave të armatosura kanë iniciuar hetimet, ka deklaruar një zëdhënëse e ushtrisë.

Ajo që deri tash është e njohur, është se dy pjesëtarët e ushtrisë ndodheshin në një makinë ushtarake të KFOR-it, deri sa po e përcillnin një konvoj ushtarak për furnizim të Swisscoy-t, gtransmeton albinfo.ch. Ata kanë pësuar lëndime të lehta dhe është dashur të marrin trajtim mjekësor ambulantor. Ndërkohë dy ushtarët janë kthyer në bazën e tyre.

Edhe njëri ndër personat që gjendeshin në makinën civile ka pësuar lëndime të lehta dhe është trajtuar në mënyrë ambulantore.