Shkurt.ch

Aksidentohet autobusi, katër të lënduar në Zvicër

Vozitësi e ka humbur kontrollin mbi autobusin duke e goditur anash barrierën e djathtë të rrugës. Me këtë rast janë lënduar disa persona dhe autobusi është dëmtuar

Mëngjesin e së premtes, rreth orës 05.30, një autobus që po vinte nga Italia, duke shkuar në drejtim të Bazelit, është aksidentuar në mes të pushimores Gunzgen Nord dhe bifurkacionit në Härkingen, në autostradën A1. Për shkaqe ende të panjohura, vozitësi e ka humbur kontrollin mbi autobusin duke e goditur anash barrierën e djathtë të rrugës, thuhet në një komunikatë të policisë zvicerane, përcjell Albinfo.ch. Me këtë rast janë lënduar disa persona dhe autobusi është dëmtuar.
Vozitësi e ka vazhduar rrugën dhe personalisht ka shkuar në spital. Prej atje, ai e ka alarmuar policinë zvicerane të Kanotnit Solothurn. Nga gjithsej njëmbëdhjetë pasagjerë të autobusit, katër persona janë lënduar, ndërsa dy prej tyre rëndë.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë. Për këtë arsye, policia i lut të gjithë ata që mëngjesin e hershëm të së premtes e kanë parë rastësisht një autobus të zi italian dhe po që se mund të japin informata në lidhje me mënyrën e tij të vozitjes, ta kontaktojnë policinë në Kantonin Solothurn.