Kultura

Aktori shqiptar që po tund skenat teatrale në Zvicër

Arianit Shaqiri, ka vetëm dhjetë vite që jeton në Zvicër dhe relativisht shpejt është integruar në jetën këtu por mbi të gjitha duke ia dalë të tregohet si një talent i rrallë në artin skenik të Zvicrës

Shumë shpesh përsëritet një fjalë e urtë popullore: „Guri i rëndë peshon në vend të vet“. Ta kuptosh mirë këtë thënie, do të duhet të emigrosh nga vendi yt, e të gjesh strehë në një vend të huaj, me gjuhë, kulturë e mentalitet krejt tjetër nga ai që je rritur. Ata që më shumti e ndjejnë peshën e kësaj fjale janë artistët, ose ata që në vendlindjen e tyre kanë ndërtuar një profesion të lartë si psh, jurist, gjuhëtar, gazetar etj. pasi në vendin që emigrojnë duhet të kalojë një kohë për të mësuar gjuhën në nivelin e duhur, por edhe kulturën e vendit. Shumica e tyre treten duke bërë punë të rënda dhe duke mos pasur mundësinë të ekspozojnë vlerat e tyre profesionale ose artistike. Një numër ndërkaq e gjen rrugën. Pak fati, por më shumë përkushtimi ndaj profesionit e artit, janë ato që nuk i lënë të heqin dorë nga identititeti i tyre i ndërtuar në vendlindje. E njëri nga ta është Arianit Shaqiri, i cili qe dhjetë vite jeton në Zvicër dhe relativisht shpejt është integruar në jetën këtu por mbi të gjitha duke ia dalur të tregohet si një talent i rrallë në artin skenik të Zvicrës.

Arianitin e takuam një mbrëmje shtatori në Altdorf të Zvicrës. Ishim për ta parë shfaqjen  „Wilhelm Tell“ në „Theater Uri“ në Altdorf. Njërin nga rolet kryesore, atë të Hermann Gessler, e luan pikërisht Arianiti, prandaj kjo ishte një arsye më shumë që ne të ishim në atë shfaqje. Ishte kjo një shfaqje e jashtëzakonshme, ku merrnin pjesë 90 aktorë e statistë, në një skenë perfekte të ilustruar edhe me efekte vizuale. Arianiti, ashtu siç e prisnim, shkëlqeu në rolin e tij, duke lënë një përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku që e kishte mbushur sallën.

  • Pesë vjet pritje për projektin e parë

Për ata që nuk e njohin, Arianit Shaqiri ka lindur më 1976 në Kumanovë të Maqedonisë ku ka bërë shkollimin e mesëm në gjimnazin e qytetit dhe për të vazhduar mëtutje me studime në Fakultetin e Arteve te Bukura pranë Universitetit të Tetovës, dega e aktrimit, duke i takuar gjeneratës së parë të studentëve të aktrimit në këtë universitet shqiptar. Pas diplomimit punon në të njëjtin fakultet si asistent profesor për katër vite, deri në momentin kur e lëshon vendlindjen dhe emigron në Zvicër.

Kyçja në artin skenik nuk ishte aq e lehtë. Iu deshën pesë vite për tu angazhuar në projektin e parë në teatrin e Luzernit duke luajtur një rol të rëndësishëm në „Freilichtspiele“. Anganzhimet e mëvonshme kanë qenë të zhanreve të ndryshme. Në vitin 2012 është angazhuar në teatrin e Altdorfit në „Tellspiel“ në regji të Wolker Hese. Në vitin 2013 merr pjesë në Teatrin e „Freilichtspiele“ të Luzernit me shfaqjen “Wetter Leuchtet” në regji të Wolker Hese në rolin e Kasparit, tekst ky i shkruar enkas për këtë projekt nga Beat Portman. Pastaj, më 2014 angazhohet me një rol në dokumentarin „Daniot“ të realizuar nga televizioni publik i Zvicrës SRF. Në vitin 2015 persëri në „Freilichtspiele“ të Luzernit me shfaqjen „Das Luftschiff“ në regji të Livio Andreina me tekst të Thomas Hurliman në rolin e Ali. Më pas angazhohet në „Tellspiel 2016“ ku luhet shfaqja „Wilhelm Tell“ e autorit Friedrich Schiller, e inskenuar nga regjisori gjerman Philipp Becker, në „Theater Uri“ në Altdorf.

  • Një bagazh solid rolesh në skenën shqiptare

Me një bagazh modest, por përmbajtjesor, ai ka arritur të bindë regjisorët zviceranë për të fituar besimin e tyre në dhënien e roleve. Nuk ishte edhe aq e lehtë, pasi më duhej të dëshmohesha si aktor, pavarësisht se në vendlindje kisha studjuar, thotë për albinfo.ch Arianiti. “Megjithatë, meqenëse në periudhën kohore 1999 -2005 kam të realizuara mbi 25 projekte filmike „Përralla popullore shqiptare“dhe një Film të metrazhit të gjatë, i njohur me emrin „Shi me gjak“ ose si njihet në popull si „Legjenda e Luto Fukarasë“, si dhe dy versionet e filmit „Plumbi i fundit“, nuk më është dashur të punoj shumë, për të arritur të luaj sot këto role në teatër. Kjo në radhë të parë pasi që me angazhimin tim të parë, kam hasur në një ambient jashtëzakonisht te ngrohtë dhe pas këtij angazhimi mendoj që më janë hapur të gjitha dyert në rrugëtimin tim”.

Si u ambientove me gjuhën në teatër, pasi shpeshherë ajo nuk është gjuha e përditshme që flitet në shtëpi e rrugë, e pyetëm ne Arianitin i cili pasi qeshet pak tregon me sinqeritetin e tij të zakonshëm: Po, vërtet gjuha ka qenë një sfidë  per mua. Duhet ta dini se gjuha e Schillerit nuk është e lehtë madje edhe për ata që e kanë gjuhë amtare, gjuhën gjermane. Është kjo një gjuhë specifike sikurse ajo e Shekspirit, prandaj më është dashur një angazhim më i madh në këtë drejtim. Megjithatë, mendoj se çelësi i suksesit është puna dhe marrja e saj me seriozitet.

  • Skena me deri 100 persona, sfidë e re për aktorin shqiptar

Besojmë që metoda e aktrimit është e njëjtë sikur tek teatrot tona, prandaj nuk duhet ta kesh pasur vështirë, apo jo, ndërhyjmë ne.

Ah, jo, jo nuk është njëjtë, përgjiegjet Arianiti. Ështe veshtirë të gjindet ndonjë krahasim me teatrot e trojeve shqiptare pasi që angazhimet që unë i kam këtu në Zvicër janë të stilit ansambël ku punohet me një numër të madh aktorësh në skenë deri me 100 persona. Prandaj është veshtirë të bëj ndonjë krahasim për shkak që te ne, ky lloj i teatrit shumë pak praktikohet. Për dallim nga teatrot tona, më duhet të përmend faktin se këtu gjatë një sezoni shfaqen 20 deri ne 26 repriza, kurse shikueshmeria e arrin numrin 10 – 15 mijë shikues.

Në fund të bisedës, Arianiti na befasoi edhe me një informatë: „Tellspiel“ e Altdorf është një shfaqje tradicionale me një histori 504 vjecare, ndërsa „Luzerner Freilichtspiele“ ka një histori 103 vjecare.

Arianiti tashmë e ka derën e hapur, si aktor, në Zvicër. Ai këtë derë e ka hapur me punën e tij në skenë, por edhe në jetën e përditshme. Në vitin që vjen shpreson të marrë sërish ndonjë rol në teatrin e Luzernit. Për „Freilichtspiele 2017“ tashmë është në bisedime.

U ndamë nga Arianiti, në atë mbrëmje shtatori, duke i uruar atij sukses në të ardhmen, në punën e tij si aktor.

 

Rolet e Arianitit në teatrot zvicerane

Në vitin 2012 është angazhuar në teatrin e Altdorfit në „Tellspiel“ në regji të Wolker Hese. Në vitin 2013 merr pjesë në Teatrin e „Freilichtspiele“ të Luzernit me shfaqjen “Wetter Leuchtet” në regji të Wolker Hese në rolin e Kasparit, tekst ky i shkruar enkas për këtë projekt nga Beat Portman. Pastaj, më 2014 angazhohet me një rol në dokumentarin „Daniot“ të realizuar nga televizioni publik i Zvicrës SRF. Në vitin 2015 persëri në „Freilichtspiele“ të Luzernit me shfaqjen „Das Luftschiff“ në regji të Livio Andreina me tekst të Thomas Hurliman në rolin e Ali. Më pas angazhohet në „Tellspiel 2016“ ku luhet shfaqja „Wilhelm Tell“ e autorit Friedrich Schiller, e inskenuar nga regjisori gjerman Philipp Becker, në „Theater Uri“ në Altdorf.