Shkurt.ch

Akuzohen tre krerë të IZRS për propagandë në favor të Al Kaida-s

Ky është rasti i parë që në Zvicër ngrihet akuzë bazuar në gjendjen e re të fakteve, lidhur me propagandën e mundshme të terrorit

Prokuroria Federale e Zvicrës ka ngritur akuzë në Gjykatën Federale Penale kundër tre anëtarëve të kryesisë së Këshillit Qendror Islamik të Zvicrës, (IZRS). Fjala është për: Nicolas Blancho, Qaasim Illi dhe Naim Cherni. Ata akuzohen se kanë bërë shkelje të ligjit federal i cili ka shpallur të ndaluara organizatat terroriste si “Al Kaida” dhe “Shteti Islamik” (ISIS), njofton srf.ch.

Ky është rasti i parë që në Zvicër ngrihet akuzë bazuar në gjendjen e re të fakteve, lidhur me propagandën e mundshme të terrorit.

IZRS me këtë rast akuzohet se ka shpërndarë nje intervistë të realizuar me një përfaqësues të Al-Kaida-s, pa u distancuar nga ajo, transmeton albinfo.ch. Konkretisht, prokuroria fajëson përgjegjësit e “Departamentit për produksion kulturor” në kuadër të IZRS-së se në periudhën nga fundi i shtatorit të vitit 2015 dhe deri nga mesi i tetorit të po atij viti, kanë xhiruar një film propagandistik në Siri, me përfaqësues të lartë të organizatës së ndaluar Al-Kaida.

Sipas prokurorisë, pas kësaj janë shpërndarë dy video në platformën e internetit Youtube, përcjell albinfo.ch. Këtë shpërndarje e ka lejuar kreu i “Departamentit për Marrëdhënie me publikun dhecinformacion” në kuadër të IZSR.

Prokuroria Federale, në dhjetor të vitit 2015 e kishte konfiskuar filmin në fjalë dhe u kishte kërkuar platformës Youtube që t`i nxirrte menjëherë nga rrjeti dokumentet në fjalë.

Veç kësaj, kryetari i IZRS e kishte propaganduar në mënyrë aktive në një manifestim publik videon në fjalë. Sipas kësaj organizate, këtu bëhet fjalë për një “film të pastër dokumentar” dhe asgjë më shumë.