Shqipëria

Alban Skënderaj e Miriam Cani mbjellin pemën për Shën Valentin

Miriam Cani theksoi se në një ditë simbolike si kjo e sotmja është shumë bukur të tregosh dashurinë jo vetëm ndaj partnerit, por edhe ndaj natyrës e vendit

Këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, i janë bashkuar nismës së kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, për të mbjellë pemë në Kryeqytet.

“Jam shumë i lumtur sot që, në këtë ditë fantastike, na u bashkuan disa nga të dashuruarit më simpatikë dhe më të mirë të qytetit. Ndaj jam i kënaqur që miqtë e mi më të mirë, Albani e Miriami mbollën një pemë jo vetëm për dashurinë, por edhe për vajzën e tyre, një engjëll i qytetit tonë. Unë besoj se kush është artist i mirë është edhe qytetar i mirë”, theksoi  Veliaj.

Ai u shpreh se duke treguar dashurinë me një dhuratë si mbjellja e një peme, e cila do të rritet, qytetarët kanë mundësi që t’i lënë gjeneratës tjetër më shumë gjelbërim dhe më shumë oksigjen.

Këngëtari Alban Skënderaj përgëzoi Bashkinë e Tiranës për nismën e dobishme për qytetin dhe të ardhmen e tij.

E Miriam Cani theksoi se në një ditë simbolike si kjo e sotmja është shumë bukur të tregosh dashurinë jo vetëm ndaj partnerit, por edhe ndaj natyrës e vendit.